12 dhjetor 2013- Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Romë, kryeministri italian Enrico Letta e ka siguruar kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e Italisë që Shqipëria të marrë pas pak ditësh statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Letta tha se Italia do të lobojë në favor të Shqipërisë, në mënyrë që të bindë shtetet e BE-së që siç tha ai, po bëjnë një lloj rezistence për integrimin e Shqipërisë. "Folëm për çështjen e integrimit të Shqipërisë. Për ne nuk ka asnjë dyshim, sepse për Italinë sot ekzistojnë kushtet që të kemi një rezultat pozitiv. Diskutuam format dhe modalitetet e punës për ditët që do vijnë dhe duam të bindim edhe vendet e tjera, që po bëjnë një lloj rezistence për integrimin e Shqipërisë. Familja evropiane është një familje shumë e gjerë, e zgjeruar dhe kur të bëheni pjesë në BE ju do ta kuptoni, se ç’do të thotë.

Ne dimë diçka për të. Ne do bëjmë një punë për t’i bindur. Jemi të bindur për këtë gjë. Ne e dimë që qeveria e Shqipërisë është e vendosur të vazhdojë në rrugën e reformave, sepse rruga e tyre është nga diktatura në demokraci dhe janë të nevojshme hapat, që janë në qendër të vëmendjes së qeverisë Rama. Fola për temat e marrëdhënieve dypalëshe. Jemi vende mike, folëm për mundësitë, që në marrëdhëniet mes dy vendeve, në Puglia sot këtu për të paraqitur këto mundësi. Ne duam të ndihmojmë në këtë drejtim, se Shqipëria sot është një partner strategjik i Italisë dhe do punojmë në këtë drejtim brenda bashkëpunimit multilateral si TAP një infrastrukturë energjetike për ne fondamentale dhe isha në Baku muajin e kaluar për të finalizuar udhëtimin. Jemi shumë të kënaqur për këtë punë. Parlamenti ynë e ratifikoi dhe thamë që është pikë tjetër shumë e rëndësishme. Puna jonë së bashku do japë rezultate shumë të mëdha. Ju përgëzoj për punën që jeni duke bërë dhe drejt rrugës së Shqipërisë në BE".

Nga ana e tij Rama falenderoi kryeministrin Italian për mbështetjen që i ka dhënë gjithmonë Shqipërisë. “Ne po presim me durim vendimin për statusin, pasi ka ende ndonjë vend anëtarë që ka dyshime. Po presim që të arrijmë tek konsensusi për t’i dhënë Shqipërisë atë që meriton. Shqipëria është e gatshme të presë investime të reja italiane, me kushte  që unë besoj se për to do të jenë optimale.

Jemi një vend që flet gjuhën italiane, dhe puna e dorës kushton pak dhe Italia është një vend në BE, kështu që puna në përgjithësi ka kostot më të larta këtu. Kemi një vullnet për të ulur burokracinë, ta thjeshtojmë me sa të jetë e mundur, në mënyrë që ndërmarrjet italiane që do vijnë në Shqipëri të kenë shumë lehtësi", u shpreh Rama. Situata në rajon, ishte po ashtu në qendër të bisedimeve mes kryeministrit shqiptar dhe atij italian.