11 maj 2015 –Klajdi Selami, 14 vjeç, këtë të premte më 8 maj ndërroi jetë në spitalin e Mestres afër Venecias.
Klajdi prej 10 muajsh po luftonte me sëmundjen e tmershme të leucemisë. Megjithëse u përdorën terapi nga më modernet për të luftuar sëmundjen, Klajdi nuk arriti dot të mbijetojë. Vdekja e tij zhyti në zi jo vetëm familjarët dhe të afërmit e tij, por edhe miqtë italianë të shkollës së mesme ‘Aldo Cappon’ ku studionte Klajdi.
Ata shprehen me lot në sy se Klajdi ishte një mik me një shpirt të madh dhe xhentil. Trupi i Klajdit nuk do të pushojë në varrezën e qytezës së Kavarceros (Cavarzero), ku banon familja e tij, por në Shqipëri. Miqtë e tij italianë kanë vendosur që pasditen e së hënës të mbajnë një përshpirtje për Klajdin në Kishën San Pio X.
/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/