Edhe pse drejtori sportiv Hasan Salihamixhiç përjashtoi një lamtumirë të Robert Levandovskit në verë, thashethemet për një lëvizje të mundshme në Barcelonë të sulmuesit vazhdojnë.
Sipas zërave që vijnë nga Spanja, Levandovski aktualisht fiton mes 23 dhe 25 milionë euro në Mynih dhe, për rrjedhojë, është lojtari më i paguar te bavarezët. “Mundo Deportivo”, gazeta e njohur spanjolle, raporton se Barcelona është ende duke punuar për një transferim të polakut në fundin e këtij sezoni.
Sipas “Mundo”- s, 33-vjeçari polak është i gatshëm të ulë pagën e tij aktuale në mënyrë që të kalojë te katalanasit edhe pse kontrata e tij te Bajerni skadon në verën e 2023-shit.
Golashënuesi më i mirë i Bundesligës nuk kërkon të rinovojë dhe e ka ndarë mendjen për të vazhduar karrierën në një klub tjetër.
Gazeta gjermane “Kicker” raporton se drejtuesit gjermanë nuk e përjashtojnë kategorikisht një shitje të Levandovskit në verë, pavarësisht refuzimeve të thashethemeve nga drejtori sportiv, Hasan Salihamixhiç.
Më e pakta që mund të marrë Bajerni nga shitja e sulmuesit duhet të jetë rreth 40 milionë euro. Klubi ndërkohë po punon për të gjetur zëvendësuesit e tij.





