Lëvizja Bashkë ka zhvilluar mëngjesin e kësaj të premteje një protestë para Bashkisë së Durrësit, për të ngritur zërin për atë që aktivistët e kësaj lëvizjeje nuk e konsiderojnë fatkeqësi natyrore, por fatkeqësi njerëzore.
Kreu i kësaj lëvizjeje për qarkun Durrës, Artan Kacani kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, si dhe një hetim të thelluar mbi funksionimin e hidrovorit të dytë, i cili u ndërtua me një fond prej 20 milionë euro, por që sipas Lëvizjes Bashkë nuk arriti të shmangte përmbytjen e qytetit.
Gjithashtu, ata kërkuan një hetim të plotë lidhur me rastin e punonjësit të bashkisë, Astrit Hysenaj, i cili u gjet i mbytur ditën e enjte në kanalin e ujërave të larta, ndërsa ishte shpallur i humbur 2 ditë më parë nga familja.
“Gjendje e jashtëzakonshme tani”, “Uji na mbyt, korrupsioni sundon” dhe “Hetim për portin e ri” ishin disa nga pankartat që mbanin në duar protestuesit gjatë tubimit.





