Roman Abramovich nuk mund të qëndrojë larg futbollit dhe pa një klub në zotërim.
Manjati rus u detyrua të shesë Chelsea pas sanksioneve të vendosura nga qeveria britanike dhe Bashkimi Europian, për shkak të afërsisë së tij me regjimin e Putinit.
Abramovich ka pasur marrëdhënie të ngushta për dekada me presidentin e Rusisë. Kjo marrëdhënie interesi e ka lejuar atë të marrë përfitime financiare ose përfitime të tjera materiale nga Putini dhe qeveria e Rusisë.
55-vjeçari bleu klubin londinez në vitin 2003 dhe gjatë këtyre viteve fitoi 21 trofe: ku bien në sy 5 Premier League, 2 Champions League, 2 Europa League, 1 Superkupë Europiane, 1 Botëror për Klube, 5 FA Cup, 3 Kupa Lige dhe 2 Superkupa të Anglisë.
Asetet e tij janë të ngrira për momentin, teksa procesi i shitjes së kampionëve në fuqi të Europës do të kalojë nga filtrat e qeverisë britanike.
Ndërkohë, Fanatik thekson se Abramovich po tenton të blejë klubin e Goztepe, që garon në elitën e futbollit turk.
Presidenti i Goztepe, Mehmet Sepil ka dhënë dorëheqjen ditën e fundit, teksa e përditshmja turke raporton se ai ka filluar bisedimet me Abramovich.
Së shpejti pritet të ndodhë edhe një takim mes të dyve, me misionin për të shitur Goztepe te bosi rus.





