Në katër muajt e parë, numri i hyrjeve legale të azilkërkuesve nga Shqipëria në BE u rrit me 30 përqind, në 7,138. Numri i hyrjeve legale të azilkërkuesve në BE po rritet. Veçanërisht persona nga Amerika Latine dhe Ballkani Perëndimor e kanë përdorur regjimin ekzistues të lëvizjes pa viza, të vendeve të tyre, për të hyrë në BE. Këtë e bëri të ditur të hënën (17.06.) Komisari i BE për Migrimin, Dimitris Avramopulos përballë gazetave të Grupit Mediatik Funke. Megjithatë, kuotat e njohjes së kërkesave për azil, të personave që hyjnë pa viza, janë minimale, tha ai.
Avramopoulos shtoi më tej se po të vazhdojë kjo tendencë migrimi nga shtete si Venezuela, Kolumbia ose Shqipëria, BE do të ndërmarrë hapa. Ai u bëri thirrje shteteve të prekura që të respektojnë rregullat për të cilat është rënë dakord.
Shtetet të pengojnë keqpërdorimin e vizave
Nëqoftëse shtetet nuk e pengojnë keqpërdorimin e vizave dhe rritet edhe më tej numri i kërkesave të paargumentuara për azil, BE mund të pezullojë regjimin pa viza për shtete të veçanta, tha ai. Sidomos për shkak të hyrjes pa viza, numri i azilkërkuesve në BE që në fillim të vitit është rritur midis janarit dhe fundit të prillit me 15 përqind, në krahasim me një vit më parë.





