Presidenca ka pësuar disa ndryshime në organikën e saj. Në një njoftim nga Presidenca, bëhet me dije se Ilir Meta ka pranuar sot dorëheqjen e Bahri Shaqirit nga detyra e Këshilltarit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare.

Në vend të Shaqirit, Presidenti ka emëruar Spiro Koçin, i cili deri sot ka ushtruar detyrën e Këshilltarit Diplomatik të Kreut të Shtetit. Po ashtu sot është emëruar dhe Këshilltar Diplomatik, Arben Cici, i cili ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Kabinetit.

Ndërkohë mësohet se kreu i shtetit, ka emëruar sot në detyrën e rëndësishme të Drejtorit të Kabinetit, Edmond Panaritin, i cili më herët njoftoi që kishte dorëzuar të gjitha funksionet e tij në LSI.

Në një njoftim nga Presidenca, bëhet me dije se këto lëvizje kanë ardhur për shkak të forcimit të prioriteteve, me qëllim përballimin me sukses të sfidave të reja.

Sfidat e reja të Presidencës janë: Sfidat e pandemisë COVID-19 dhe shëndetit publik, Sfidat me të cilat përballet faktori shqiptar; Shpopullimi i vendit, Sfidat në Arsim dhe sfidat në Mjedis.