TIRANË, 14 mars 2013– Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk heq dorë nga eksperimentet dhe akrobacitë në prag të zgjedhjeve të 23 Qershorit, duke provokuar kësisoj krisjen dhe përçarjen e partisë në rrethe. Pas socialistëve të Kukësit, edhe shumë zona të tjera nuk i kanë mirëpritur lëvizjet e fundit të kryesocialistit Rama dhe kandidatët e diktuar prej tij për deputetë. Ndonëse debatet ende nuk kanë plasur publikisht, tensioni dhe debatet për listat e deputetëve kanë përfshirë edhe zona të tjera. Kështu, prezantimi i anëtares së Kryesisë së PS, Mimi Kodheli, si drejtuese e fushatës në Qarkun e Lezhës, ka zënë në befasi strukturat e Partisë Socialiste të Lezhës. Zonja Kodheli, nga deputete e Qarkut të Korçës, më pas e deleguar për Qarkun e Shkodrës, Rama e ka zhvendosur në Qarkun e Lezhës, duke e projektuar edhe në krye të listës për deputetë në këtë qark. Me kalimin e Kodhelit në Lezhë, Rama rrezikon mandatin e Gjovalin Kadelit dhe Armando Prengës në këtë qark, dy deputetë këto që kanë një mbështetje të madhe nga baza.
Gjithsesi emërimi i Kodhelit si drejtuese politike e këtij qarku nuk është pritur mirë nga baza, e cila kërkon që Kadeli të kryesojë listën e kandidatëve për deputetë. Gjithsesi, kryetari i PS së Rrethit të Lezhës, Agustin Marku, ka deklaruar se kandidatura e zonjës Kodheli nuk është zyrtarizuar për këtë qark. Ndërkaq, surprizat me listën e kandidatëve të Partisë Socialiste për deputetë nuk kanë mbaruar. Një prej deputetëve më aktivë të PS, i konsideruar edhe si makthi i kryeministrit Berisha, do të zhvendoset nga zona e tij ku është zgjedhur disa herë deputet. Bëhet fjalë për Taulant Ballën. Deputeti Balla, nga Librazhdi, pritet të jetë pjesë e listës së Tiranës. Ndërkaq, zonja Valentina Leskaj, e cila në zgjedhjet e 2009 ishte në krye të listës në Elbasan, nuk do të kandidojë në zgjedhjet e 23 Qershorit në Elbasan. Zonja Leskaj, një ndër figurat më të rëndësishme të PS, pritet të garojë në Vlorë. Një tjetër surprizë lidhet me emrin e ish-kryeministrit Bashkim Fino, i cili ishte gati të ndëshkohej nga Rama në 2009 si mbështetës i Nanos. Fino tashmë e ka fituar besimin e Ramës, por nuk do të kandidojë për deputet në Fier, por në Tiranë ose në Elbasan. Po ashtu ndryshime priten edhe në qarkun e Dibrës, ku në zgjedhjet e 2009 PS arrit një rezultat të dobët. Në Dibër lista pritet të kryesohet nga Shkëlqim Cani dhe Ardit Kaja.
Taktika
I gjithë grupi parlamentar socialist aktual pritet të jetë pjesë e listës për deputetë, por me një ndryshim fatal për fatin politike; një pjesë e deputetëve do të zhvendosen poshtë vijës së sigurisë, ku shanset për të marrë mandatin e deputetit janë pothuajse zero. Ndaj dhe lufta po bëhet për renditjen në listë. Nuk ka rëndësi në fillim apo në mes, mjafton që emri të vendoset sipër vijës së sigurisë, ku mandati të mos rrezikohet, siç iu rrezikua Piro Lutajt në Fier në zgjedhjet e 2009.
Emrat e rinj për kandidatë
Alfred Peza
Vexhi Muçmata
Mimi Kodheli
Ilirjan Celibashi
Lindita NikolliAdriatik Doçi