Itali, 25 qershor 2014 – Policia italiane prej disa kohësh po mbikqyrte shpërndarësit e kokainës në periferi të qytetit të Peruxhias. Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, 24 qershor, policisë i tërhoqi vëmendjen një Volksvagen Polo me dy persona në të. Policia e urdhëroi shoferin e Polos të ndalonte, por ai nuk iu bind urdhërit dhe u përpoq të arratisej. Gjatë kësaj përpjekje nga dritarja e makinës u flakën 55 gram kokainë e pastër.
Në makinë u identifikuan dy persona. Enkelejda Hasaj, 29 vjeç, me precedentë penalë, së cilës iu gjetën në trup 2 doza kokainë (rreth një gram) dhe Gentian Çelaj, 34 vjeç me precedentë të shumtë penalë.
Në vitin 2004, në kuadër të operacionit “Piccolo Lord” Gentiani ishte arrestuar për trafik droge, mbajtje arme të ftohtë dhe pasaportë greke të falsifikuar. Ai ishte dënuar me 4 vjet burg dhe 15 000 euro gjobë. Në vitin 2006 ishte liruar nga burgu dhe dëbuar nga Italia nëpërmjet tragetit të linjës Ankona-Durrës. Çela kur u arrestua përsëri për kokainë kishte një identitet të ri, një pasaportë të re biometrike shqiptare, prodhim fals i sistemit.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





