Tiranë, 12 maj 2014 – Komisioni hetimor për lëvizjet në polici ka mbyllur sot hetimet, por raporti përfundimtar nuk është votuar, pasi deputetët e mazhorancës janë larguar nga mbledhja. 

Kryetari i këtij komisioni Arben Ristani, në emër të opozitës, kërkoi lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi, pasi sipas tij, nuk plotëson asnjë kriter për emërimin në këtë detyrë, ndërsa kërkoi të hetohet roli i tij në vdekjen e pasagjerit grek për ngjarjen e vitit '99.

“Në momentin e emërimit të zotit Didi nuk kishim të depozituar asnjë dokument. Aksioni policor i drejtuar nga zoti Didi në 28 maj ‘99 është tregues i qartë i mungesës së profesionalizimit nga zoti Didi. Të hetohet roli i tij në vdekjen e pasagjerit të pafajshëm”,– tha Ristani.

Më tej u kërkua lirimi nga detyra i zv/drejtorit të policisë Altin Qata dhe rikthimi në detyrë i Muhamet Rrumbullakut. Në detyrim pas këtij raporti duhet të kthehen edhe të gjithë ata efektivë policie të pushuar padrejtësisht nga puna.

Anëtari i mazhorancës në këtë komision, Pirro Lutaj e cilësoi të pavërtetë dhe të njëanshëm këtë raport.

Sipas Ristanit në raportin voluminoz me 250 faqe u pyetën shumë dëshmitarë dhe u provuan faktet e mëposhtme: 

-Nuk provohet që ndryshimet e strukturës policore të jenë paraqitur për hetim nga drejtuesit e policisë. 
-Drejtori i Përgjithshëm nuk ka ngritur asnjë grup pune për ndryshimin e strukturave në polici. 
-Janë shkurtuar 80 funksione organike. 
-Emërimet në polici janë bërë me karakter politik. 
-Zoti Sokol Bizhga, zv/drejtori i Policisë së Shtetit nuk plotëson kriteret e parashikuar për të mbajtur këtë pozicion. Ndërsa disa drejtorë të policisë në qarqe, janë ripranuar në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi, po asht edhe disa shefa komisariatesh janë ripranuar në kundërshtim me rregullat ligjore në fuqi. 
-Janë shkelur kriteret e gradave, shumë shefa policie nuk kanë gradën e duhur. 21 shefa komisariatesh nuk kanë gradën e duhur. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/