Një 22-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi lëviste me taksi me armë me vete.

Sipas njoftimit të policisë, taksia është ndaluar nga uniformat blu tek Bulevardi i Ri në kryeqytet, ndërsa i riu me iniciale K. Sh., është arrestuar.

Pistoleta iu gjet gjatë kontrollit fizik ndërsa ndaj 22-vjeçarit rëndon akuza për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Backseat”.

Lëvizte me armë zjarri si pasagjer në një taksi, vihet në pranga 22-vjeçari.

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas sigurimit të informacionit se një shtetas, lëvizte i armatosur, me taksi, për të shmangur kontrollet e Policisë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Backseat”.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale operacionale, tek Bulevardi i Ri, u ndalua taksia me të cilën lëvizte shtetasi K. Sh., 22 vjeç. Nga kontrolli fizik, iu gjet e iu sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë.

Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera nga Komisariati Nr. 3, 22-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”dhe materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.