Vijojnë kontrollet për rritjen e parametrave të sigurisë, arrestohet në flagrancë një shtetas në Durrës pasi qarkullonte me armë zjarri.

Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës në bashkëpunim me Efektivët e Stacionit të Policisë Plazh kanë arrestuar në flagrancë shtetasin:

Nael Shala (Fatri Krasniqi) 35 vjeç, banues në Kavajë.

Më datë 25.03.2018, në rrugën Golem-Durrës (në Plepa), duke udhëtuar me një mjet tip "Benz", pasagjer në mjet, është arrestuar nga Shërbimet e Policisë pasi dispononte armë zjarri pistoletë tip "Bereta" dhe 17 fishekë luftarakë.

Arma dhe fishekët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa ndaj 35-vjeçarit rëndon akuza "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit".

Policia njofton se kontrollet nga ana e uniformave blu vijojnë për kapjen e personave që qarkullojnë me armë, personave të shpallur në kërkim dhe atyre që ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e trafiqeve të paligjshme apo në fushën e vjedhjes së pronës.