Pas 29 vitesh Shqipëria doli nga lista e vendeve nën monitorim nga Këshilli i Evropës, pas votimit unanim të rezolutës ditën e djeshme.
Duke iu referuar vendimit të KiE për ta hequr Shqipërinë nga monitorimi për çështjet e të drejtave të njeriut, Majko tha se kolegët e PS ose kanë punuar shumë si delegacion, ose Basha ka tradhtuar më shumë.
Pasi Majko u shpreh i lumtur me këtë arritje, Basha e paralajmëroi se në fakt shqetësimet në Këshill për Shqipërinë janë dyfishuar.
“Mendoj që për procedurë parlamenti duhet të ishte informuar sot për dy vendime të një karakteri jo burokratik, por të rëndësishme dhe që kanë të bëjnë qoftë me Shqipërinë, qoftë me Kosovën që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka marrë. I bashkohem kolegut Shehu përsa i përket vlerësimeve që ai bëri për aktin historik, të Asamblesë Parlamentare për vendimmarrjen lidhur me pranimin e shtetit të Kosovës në KiE.
Por ka edhe një hap tjetër, një vendim tjetër i cili duhet kujtuar si një moment procedural i rëndësishëm ky parlament ka një delegacion shumë të rëndësishëm që gjej rastin ta falenderoj qoftë për aktin e parë që ka të bëjë me pranimin e Kosovës por edhe me aktin që po e them tani, me heqjen e Shqipërisë nga monitorimi i Këshillit të Europës, pas mëse 30 vjetësh.
Tani zoti Gazi në këtë atmosferë korrupsioni, droge, trafiku, Këshilli i Europës mori një vendim i cili me thënë të drejtën është tregues se, o kolegët tanë të delegacionit kanë punuar më shumë sesa duhet, ose zoti Basha ka tradhtuar më shumë sesa duhet. Zoti Basha është thjesht një humor”, tha Majko.
Nga foltorja, Basha iu përgjigj:
“Zoti Majko në fakt mos u gëzoni para kohe. Me të vërtetë raporti i hartuar prej dyshes, njëri prej të cilëve nuk është më në Asamble Parlamentare se janë pezulluar kredencialet, si pjesë e delegacionit të një vendi që ka kryer agresion territorial nga një vend tjetër. Të siguroj si anëtar i delegacionit se shqetësimet për Shqipërinë janë dyfishuar.
Janë dyfishuar në Bernë për pastrimin e parave, janë në dyfishuar në Komisionin e Venecias në veçanti që nga java e kaluar kur kjo parti shkaktoi krizë kushtetuese, se mos të zbatosh vendimin e GjK do të thotë ta fusësh vendin në krizë kushtetuese. Shqipëria ka nevojë për dyfish monitorim, mos u gëzoni o të gëzuar se nuk mjafton të kapesh si i mbyturi pas fijes së kashtës te një raport formal.
Zoti Majko e të gjithë të interesuarit, shqetësimi në Këshillin e Evropës është dyfish i vitit të kaluar dhe është meritë e kryeministrit tuaj. Do t’ja dëgjoni krismën.”