Një ngjarje e frikshme është shënuar gjatë natës në qytetin e Lezhës, ku një shkëndijë elektrike ka përfshirë bllokun elektrik të një pallati pranë ish-Mapos, duke shkaktuar frikë dhe panik tek banorët.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka shpërthyer papritur, duke mbushur me tym ambientet e brendshme të godinës.

Për shkak të situatës, shumë prej banorëve janë detyruar të braktisin banesat dhe të dalin me urgjencë jashtë për t’u mbrojtur.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse të qytetit, të cilat kanë ndërhyrë për të neutralizuar flakët dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit në pjesët e tjera të pallatit. Pas disa minutash ndërhyrje, zjarri është vënë nën kontroll.

Fatmirësisht, nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar, por pallati aktualisht mbetet pa furnizim me energji elektrike.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e plota të ngjarjes, ndërsa dyshohet se gjithçka ka ardhur si pasojë e një defekti në rrjetin elektrik të godinës.