Njësitë e lëvizshme, ajo e mamografisë dhe e kontrollit bazë, prej dy ditësh ndodhen në Dajç për të bërë kontrollet bazë në popullatën 40-65 vjeç, si dhe depistimin ndaj sëmundjeve tumorale të gjirit tek gratë. Ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj ka qenë sot pranë Qendrës Shëndetësore të Dajçit për të parë nga afër se si po funksionojnë ekzaminimet në popullatë, ku ka theksuar se reformat në sektorin e shëndetësisë deri më tani kanë sjellë lehtësi ekonomike, por edhe akses më të shpejtë për të marrë shërbimin shëndetësor edhe për banorët e zonave rurale. Sipas ministrit Beqaj, duke filluar që nga 1 Shkurti, ekzaminimet shëndetësore janë ndjeshëm më të lira, kurse mjeku i familjes është falas që prej 27 Janarit.

“Ne po përpiqemi që, përveçse t’ju ofrojmë kujdes shëndetësor, ju të mos paguani, ta sjellim edhe sa më pranë aty ku jetoni, përveç kontrollit pa pagesë, tashmë edhe mjekun e familjes e keni pa pagesë, – ka deklaruar ministri Beqaj. – Duke filluar nga data 1 shkurt edhe vizitat e tjera janë edhe më të lira. Nga ana tjetër, kemi përmirësuar kushtet për sëmundjet e zemrës së diabetit dhe së shpejti do të hapim edhe dializën.”