Tiranë, 17 maj 2014 – Mbi 120 aktivistë për të drejtat e LGBT dhe mbështetës të kësaj kauze zhvilluan sot për të tretin vit rradhazi Pedalimin Kundër Homofobisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. 

Pedalimi filloi përballë Pallatit të Kongreseve dhe prej aty aktivistët u drejtuan drejt sheshit Skënderbej të shoqëruar nga forca të policisë, nën 
drejtimin direkt të zëvendës drejtorit të Rendit dhe Sigurisë, Pandi Sulaj. 

Më tej, nga Galeria Kombëtare deri në Pallatin e Kongreseve ata mbajtën në duar një flamur rreth 8 metra të gjatë duke shënuar kështu paradën e parë të këtij lloji në Shqipëri. 

Përvec aktivistëve nga Shqipëria në këtë event u bashkuan dhe aktivistë gej shqiptarë nga qytetet e Maqedonisë dhe nga Kosova si dhe përfaqësues të trupit diplomatik. 

Me këtë paradë ata shpërndajnë këtë mesazh për të gjithë qytetarët: Duhet Vepruar Tani! Kundër homofobisë. Mos harroni: Të drejtat e Homoseksualëve janë të Drejtat e Njeriut dhe të Drejtat e Njeriut janë të Drejtat e Homoseksualëve! 

Ndërkohë që Ambasada Pink ka zhvilluar një aktivitet tjetër sensibilizues, duke parakaluar me biçikleta në sheshin '3 Vëllezërit Frashëri'.

Avokati i Popullit, Igli Toptozani i pranishëm në këtë aktivitet u shpreh se Shqipëria është gati të shkojë në Europë.

“Sot do them kjo që po ndodh gjëja më e fortë, këta të rinj janë krenarë të shprehin vlerat dhe dinjitetin e tyre. Shpeshherë më ka qëlluar në mandatin tim që sa herë të mbroj LGBT, komunitetin rom e të tjerë, më kanë thënë që shoqëria nuk është gati t’i mirëpresë, atëherë unë bëj pyetjen po për të shkuar në Europë a është gati Shqipëria? Shoqëria shqiptarë meriton statusin sepse është gati të shkojë në Europë. Ky aktivitet tregon pranimin e LGBT”,– tha ai. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/