Botohet në Trieste e Bruksel vepra “Përfaqësimi politik në Shqipëri, nga Antikiteti deri në vitin 1928” i Dr. Kristaq Stratit (1904-1969)

TRIESTE, 20 shkurt 2013 – Kohët e fundit është botuar në Trieste e Bruksel libri “La rappresentanza politica in Albania. Dall'Antichità al 1928” (Përfaqësimi politik në Shqipëri, nga Antikiteti deri në vitin 1928) me autor Dr. Kristaq Strati (1904-1969), intelektual nga Vlora i dënuar nga regjimi komunist, njofton në sajtin Albanian-American Freedom House Pandeli Strati, i biri i autorit të librit. Vepra “Përfaqësimi politik në Shqipëri, nga Antikiteti deri në vitin 1928” i noterit, doktor në drejtësi Kristaq Strati, shkruar në dekadën e dytë të shekullit XX, sheh dritën pas më shumë se tetëdhjetë vjetësh harresë. Është një disertacion i diskutuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Studimeve të Torinos (Facoltà di Giurisprudenza della Regia Università degli Studi di Torino) më 23 nëntor 1928. Kjo punë shkencore u botua pas shumë përpjekjeve dhe kërkimeve të mbesës, Ingrid, doktore në marrëdhënie ndërkombëtare, dhe Lorenzo Dugulinit, gazetar. Botues është “Qendra Ndërkombëtare për Studime Ndërkulturore” CIRSI dhe CCAI në Trieste dhe në Bruksel, ku bashkëpunon me organizma evropianë për të Drejtat Themelore të Njeriut.

Kush ishte Kristaq Strati

Kristaq Strati, ishte djali i një nga familjet më aristokrate të Shqipërisë, lindur në Vlorë më 1904. Nga mosha 10-vjeçare ka studiuar në Itali ku mbaron shkëlqyeshëm liceun klasik të Astit dhe më pas studimet në fakultetin e drejtësisë ku merr titullin “Doktor në Drejtësi”. Punon në studiot më prestigjioze ligjore në Torino dhe në Romë. Është marrë me futboll si arbitër dhe pjesëtar i klubit “Juventus”. U kthye në Shqipëri në fillimin e viteve’30 dhe ushtron profesionin si noter. Për disa vjet Kryetar i Bashkisë së Vlorës. Ndërton ujësjellësin e parë në Vlorë dhe themelon klubin sportiv “Flamurtari”. Arrestohet më 16 maj 1947. U dënua me 15 vjet burg dhe me punë të detyruar me akuzën “grupazh për përmbysjen e pushtetit popullor dhe komplikim me klerin ortodoks grek”. Pronat iu konfiskuan dhe familja iu dëbua. Është interesant fakti që në vitin 1943, nazistët gjermanë arrestojnë vëllanë e Kristaqit, Dhimitër Stratin, i cili internohet në kampin e Prishtinës, ku edhe u pushkatua, Dëshmor i Atdheut. Vitet e burgut Kristaqi i kaloi në kampet e punës: Maliq, Beden, Burrel, Gjirokastër, Ura Vajgurore etj. Në vitin 1954 lirohet nga burgu. Bashkohet me familjen, gruan Ksanthipi Dovana Strati, e shkolluar në “Liceu Kiriaz”, dhe fëmijët, Pandeli mësues matematike, dhe Geraldinë, mësuese, e detyruar të punojë si punëtore e thjeshtë ndërtimi. 

/th. m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/