Për vitin e ri shkollor zgjerohet më tej skema mbështetëse për librat falas. Nëpërmjet një postimi në Facebook, ministrja e Arsimit Besa Shahini, bën me dije zgjerimin e skemës mbështetëse për shpërndarjen e librave falas për nxënësit e vitit të shkollor 2020-2021.

Përkundër presionit financiar nga tërmeti i vitit të kaluar dhe pandemia e COVID-19, Shahini nënvizon se “këtë vit kemi zgjeruar skemën mbështetëse të librave falas, me përfitues direkt nxënësit e klasave 1-7 dhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta deri në klasë të 12-të”.

 Kjo skemë mbështetëse nga buxheti i shtetit prej 800 milionë lekësh u vjen në ndihmë direkt mbi 250 mijë nxënësve përfitues në të gjithë vendin, duke ulur koston financiare të familjeve shqiptare dhe përmirësuar gjithashtu qasjen e nxënësve në arsim, veçanërisht nxënësve romë dhe egjiptianë, të cilët kanë një rrezikshmëri më të lartë të braktisjes së shkollës së mesme.