TIRANË, 20 gusht 2013 – Afër mesnatës 19-20 gusht 2013 janë ndier lëkundje të lehta të tokës në Shebenik-Jabllanicë të Librazhdit, që ndodhet në “Brezin e Gjelbër” të Evropës përgjatë zonës kufitare mes Shqipërisë dhe RFJ të Maqedonisë. Rrjeti sizmologjik shqiptar njofton se është regjistruar një tërmet afër mesnatës së 19 gushtit 2013, ora 21:27:42 (GMT) ose ora 23:27:42 (koha verore e Shqipërisë). Ngjarja tektonike ka pasur një magnitudë M=2.4, me epiqendër në thellësinë 10 km. Është lokalizuar në largësi 9 km në vijë ajrore në verilindje të qytetit të Librazhdit (qarku i Elbasanit), në koordinatat 41.23°V, 20.39°L (shih hartën nr. 1 pika e kuqe, sipas departamentit të sizmologjisë së Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit). Eksplorimi me Google earth nxori në pah se dukuria sizmike ka ndodhur në lartësinë mbi 1300 metra në territorin e Parkut kombëtar Shebenik-Jabllanicë (shih foton satelitore dhe hartën nr. 2, shigjeta e gjelbër).
Info / Parku kombëtar Shebenik-Jabllanicë.
Njeriu dhe natyra në PK të Shebenik –Jabllanicës
Parku Kombëtar i Shebenik-Jabllanicës ndodhet në “Brezin e Gjelbër” të Evropës dhe është pjesë e një zone të gjerë dhe komplekse gjeografike përhapur përgjatë zonës kufitare mes Shqipërisë dhe RFJ të Maqedonisë. Ajo formon një korridor të rëndësishëm ekologjik për kafshët si ariu, ujku dhe rrëqebulli, të cilat janë lloje të rëndësishme për ruajtjen e larmisë biologjike në Ballkan.
Shpallja
Qeveria e Shqipërisë në vitin 2008 shpalli ekosistemin e maleve të Shebenik-Jabllanicës Park Kombëtar me një sipërfaqe prej 33 927,66 ha. Zona është nën administrimin e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Librazhd dhe komunave Steblevë, Lunik, Librazhd Qendër, Hotolisht, Qukës dhe Rrajcë sipas pronësisë dhe ndarjes administrative.
Informacion gjeografik
Malet e Shebenik-Jabllanicës janë një zonë me bukuri të rrallë natyrore ku gjenden disa nga peizazhet malore më madhështore dhe befasues në tërë Ballkanin. Në anën shqiptare ngrihen mbi luginën e lumit Shkumbin nga rreth 300 m mbi nivelin e detit deri në 2 000 m, me lumenj e përrenj të shumtë që zbresin në kodrat dhe luginat e fushave më vazhdim. Maja e Rreshpë-Shebenikut është 2 262 m mbi nivelin e detit dhe është një nga malet më të larta në Shqipëri. Klima është mesdhetare-malore me ndikime kontinentale. Temperatura mesatare varion nga 7 ° C deri në 10 ° C dhe reshjet mesatare vjetore variojnë nga 1 300 deri 1 800 mm.
Fauna
Parku Kombëtar i Shebenik-Jabllanicës konsiderohet si një ndër bërthamat kryesore të llojit më të kërcënuar në Shqipëri, rrëqebulli i Ballkanit (Lynx lynx martinoi). Parku është gjithashtu habitat i ariut të murrmë (Ursus arctos), ujkut (Canis lupus), dhisë së egër (Rrapicapra rupicapra), derrit të egër (Sus scrofa), lundërzës (Lutra lutra), etj. Ujërat e freskëta të lumenjve të parkut janë habitat i troftës së kuqërremtë (Salmo trutta fario).
Flora
Zona e Shebenik – Jabllanicës dallohet për florën e pasur dhe shumë të larmishme, prej kushteve të përshtatshme të terrenit dhe formave të shumta gjeologjike e gjeografike, duke krijuar larmi mikroklimatike dhe habitatesh. Ndër llojet kryesore të bimësisë përmenden ahu (Fagus Sylvatica), bredhi (Abies Alba), lloje të ndryshme të dushkut (Quescus), lloje me prani më të rrallë si plepi (Populus tremula),shelgu (Salix purpurca), panja (Acer platanoides), si dhe bimë barishtore
insektngrënëse, manushaqja e dukagjinit (Viola ducadjinika), e rrallë dhe e rrezikuar si dhe genista endemike (Genista hassertiana).
/Burimi: http://cmsdata.iucn.org/
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





