TIRANË, 27 tetor 2013 – Buzë një dege të lumit të Shkumbinit, në territorin e komunës së Lunikut, Librazhd, në orët e para të mëngjesit të së dielës, 27 tetor 2013, janë ndier lëkundje të lehta toke. Ato pasojnë një sërë tërmetesh që kanë rënë dy ditët e fundit (shih tabelën) në Shqipëri: në afërsi të qytetit të Bulqizës dhe të Ballshit më 27 tetor dhe në afërsi të qytetit të Peshkopisë, Burrelit, Memaliajt më 26 tetor 2013. Rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar më 27 tetor 2013, ora 4:44:59 GMT ose ora 5:44:59 (koha e Shqipërisë +1 GMT), një tërmet me forcë M=3, me epiqendër në thellësinë 13 km. Dukuria tektonike ka ndodhur në afërsi të fshatit Allaj, 5 km në vijë ajrore në veri të qytetit të Librazhdit, në koordinatat 41.24°V, 20.33°L (shih etiketën në hartën nr. 1, pika e kuqe, sipas deprtamentit të sizmologjisë së Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit). Më saktësisht, tërmeti ka ndodhur buzë një prej degëve lumit të Shkumbinit (shih foton satelitore, shigjeta e gjelbër) në lartësinë 550 metra mbi nivelin e detit. Në bazë të koordinatave, lokalizimi i ngjarjes sizmike është në jug të fshatit Letëm, pak në lindje të fshatit Allaj, të dy këto vendbanime pjesë e komunës së Lunikut të rrethit të Librazhdit (shih hartën nr. 2, pika e kuqe).  

Info

Komuna Lunik ka nën përbërje fshatrat Lunik, Prevallë, Dranovicë, Kostenjë, Letëm, Allaj-Zgosht, Koshorisht.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/