DURRES, 16 prill 2013 – Në datë 10 prill në Akademinë e Shkencave në Tiranë u promovua libri “Bazat e virusologjisë bimore”, i autorit durrsak Arben Myrta. 52 vjeçari durrsak është një nga bashkëatdhetarët tanë që ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në Itali, por që vazhdon të japë kontributin e tij pranë Universitetit Bujqësor të Kamzës, nga auditoret e të cilit nisi karriera e tij e gjatë në fushën e kërkimit shkencor dhe mbrojtjes së bimëve.

Megjithëse prej rreth 20 vitesh ai punon dhe jeton në Itali, kontaktet e tij me Universitetin Bujqësor të Kamzës kanë qenë të forta. Ai mban titullin profesor i asociuar pranë këtij universiteti dhe është autor dhe bashkëautor i rreth 200 artikujve shkencore dhe 16 librave me temë virusologjinë bimore dhe mbrojtjen e bimëve. Libri më i fundit i botuar prej Myrtës “tenton të mbushë një zbrazëti të ndjeshme në këtë fushë dhe plotëson një kërkesë e nevojë të specialistëve të bujqësisë, biologëve, studentëve dhe bujqve kureshtarë”,- shkruan për “Panorama” Pandeli Pasko.

Më poshtë mund të lexoni shkrimin e botuar në gazetën “Panorama”:

Libri “Bazat e virusologjisë bimore” i autorit dr. Arben Myrta pasuron bibliotekën bujqësore shqiptare, mbush një zbrazëti të ndjeshme në këtë fushë dhe plotëson një kërkesë e nevojë të specialistëve të bujqësisë, biologëve, studentëve dhe bujqve kureshtarë. Libri dallohet për një sistemim të mirë të çështjeve, duke ndërthurur shkencoren me laboratoriken, praktikën fushore dhe administrativen të shpjeguara me shqipe të thjeshtë e të qartë. Tre kapitujt e parë kanë vlerën e hyrjes në problematikën e viruseve në bimë. Mbas historikut të virusologjisë bimore vazhdohet me përvojën shqiptare dhe rëndësinë ekonomike të sëmundjeve virusale në bimë, dëmet e tyre në shkallë botërore dhe në rajone të veçanta. Në kapitullin e tretë përshkruhen disa shembuj të sëmundjeve virusale, të cilat i kanë shkaktuar dëme të mëdha bujqësisë botërore dhe asaj shqiptare në veçanti. Kapitujt 4 dhe 5 përbëjnë edhe thelbin shkencor të librit, mbasi aty trajtohen në thellësi ndërtimi i virusit dhe përhapja e sëmundjeve virusale të bimëve. Fillohet me çështjen ende të koklavitur dhe të papërfunduar të klasifikimit të viruseve në bazë të tipareve të tyre dhe vazhdohet me procesin, simptomatologjinë dhe me transmetimin e sëmundjeve virusale, apo epidemiologjinë e tyre. Thelbi i librit – diagnostikimi i sëmundjeve dhe identifikimi i viruseve bimorë (kapitulli 5)- jep një pasqyrë të shkallëzuar e në rritje të studimit të çdo lloj virusi nga vrojtimi fushor me sy e deri tek analizat më të thelluara me metoda serologjike (testi ELISA), mikroskop elektronik e sidomos me metoda molekulare (RT-PCR). Këtu jepet edhe një vështrim krahasues i teknikave diagnostikuese dhe përshkrim i teknikave të së ardhmes të bazuar në sekuencimin e ADN. Është meritë e veçantë e autorit trajtimi i zhdërvjellët dhe i qartë i çështjeve të tilla jo të lehta, me rëndësi teorike dhe praktike. Kapituj të veçantë u kushtohen dy grupimeve të mëdha të organizmave të ngjashëm me viruset, si viroide, fitoplazma, spiroplazma dhe baktere të indeve përçuese, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve shumë kohë mbas viruseve dhe shfaqin preokupim për shkak të sjelljes së tyre të veçantë dhe vështirësive të izolimit e studimit. Tre kapitujt e fundit kanë rëndësi të posaçme për praktikën e sotme bujqësore, pasi trajtojnë me hollësi masat e luftimit dhe kontrollit të viruseve. Kështu, kapitulli 8 flet për parandalimin e sëmundjeve virusale dhe të ngjashme me to, duke përdorur së pari kultivarë të qëndrueshëm e duke eliminuar e luftuar burimet e infeksionit dhe bartësit e tyre, kryesisht insektet. Kujdes i veçantë i kushtohet domosdoshmërisë së njohjes dhe respektimit të karantinës bujqësore, e cila shoqërohet edhe me listën përkatëse të viruseve dhe sëmundjeve të ngjashme me to. Në kapitullin 9 flitet për shëndetësimin e bimëve dhe kultivarëve të sëmurë. Po aq i rëndësishëm, sidomos për gjendjen aktuale në Shqipëri, Kosovë e në trevat përreth, është edhe kapitulli i fundit për certifikimin e materialit mbjellës, ku jepen parimet e certifikimit të fidanëve dhe kriteret e BE për këtë proces. Në këta kapituj të fundit jepen shembuj të shumtë nga puna e bërë në Shqipëri prej vetë autorit, në kuadër të projekteve të shumtë të ideuara dhe të drejtuar nga IAMB (Instituti Agronomik Mesdhetar i Barit). Zgjedhja e ilustrimeve, e tabelave dhe e skemave të qarta shpjeguese, së bashku me cilësinë e shtypit ia rrisin së tepërmi vlerat këtij libri dhe bëjnë edhe më të komunikueshëm me lexuesin. Libri është fryt i një pune gati 20 vjeçare të autorit, Arben Myrta, i cili mbas studimit të gjendjes së sëmundjeve virusale në pemët frutore në Shqipëri në fillim të viteve ’90 (tezë master e shpallur më e mira në sistemin e CIHEAM për vitin 1993), i thelloi edhe më tej këto kërkime nëpërmjet projekteve të ndryshme të ndërmarra nga IAMB i CIHEAM*) në Shqipëri dhe në vende të tjera mesdhetare. I udhëhequr e drejtuar fillimisht nga një prej personaliteteve më të njohura të virusologjisë bimore në shkallë botërore, prof. Giovanni Martelli, Z. Arben Myrta ka kryer dhjetëra studime për gjendjen e sëmundjeve virusale, diagnostikimin e tyre me metoda bashkëkohore, masat për kontrollin e tyre nëpërmjet masave karantinore, përdorimit të kultivarëve të qëndrueshëm e fidanëve të shëndetshëm e sidomos nëpërmjet kualifikimit të specialistëve dhe ndërgjegjësimit të hartuesve dhe zbatuesve të politikave bujqësore. Po ashtu janë të shumta botimet e tij në kuadër të projekteve të IAMB për gjendjen dhe ruajtjen e biodiversitetit në Shqipëri, për zbatimin e bujqësisë së integruar, bujqësisë organike etj. Gjithashtu autori ka dhënë kontribut të veçantë për ringritjen e Laboratorit të Mbrojtjes së Bimëve në Durrës, për ngritjen e serrave, për prodhimin e fidanëve të shëndetshëm në Vlorë pranë institucioneve përkatëse kërkimore, për ngritjen e bërthamës së parë për bujqësi organike pranë Ministrisë së Bujqësisë etj. Rrallëherë ndodh që në një libër shkencor të bashkohen qartësia e mendimit dhe e shprehjes, pastërtia e gjuhës, thellësia e shpjegimit dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me përdoruesin. Si i tillë ky libër do të kontribuojë në studimin dhe përcaktimin e pranisë të sëmundjeve virusale dhe në trajtimin e çështjeve të rëndësishme që lidhen me to – nga përdorimi i kultivarëve të qëndrueshëm, fidanëve të pastër nga sëmundje virusale dhe deri në kontrollet e detyrueshme karantinore kufitare dhe zonale në gjithë trevat shqipfolëse përreth Shqipërisë. Pavarësisht se autori, me të drejtë, e këshillon këtë libër së pari për studentë e më pas për specialistë të mbrojtjes së bimëve, ne e konsiderojmë libër të vlefshëm të kulturës bujqësore edhe për gjithë punonjësit e bujqësisë, të cilët ndeshen çdo ditë me probleme të mbrojtjes së bimëve nga sëmundjet virusale në pemëtore, ullishta, vreshta, serra e fushë të hapur. Duke i uruar autorit suksese për pasurimin e mëtejshëm të fondit të librave të nivelit të lartë për bujqësinë shqiptare, ashtu si ndodh rëndom me librat e mirë në botën e botimeve me rëndësi themeltare në fusha të ndryshme shkencore, parashikojmë disa ribotime të këtij libri. E, në këtë rast, do të donim të kishim një paraqitje më të gjerë të punës së kryer në Shqipëri në fushën e mbrojtjes së bimëve ndaj viruseve, si p.sh. për prodhimin në dhjetëvjeçarë të farës së patates të pastër nga viruse, për punën e prodhimit në vend të serumeve për diagnostikimin e sëmundjeve të patates, vlerësimin e qëndrueshmërisë ndaj viruseve etj.

(Pandeli Pasko – Instituti Agronomik Mesdhetar i Barit i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve të Larta Agronomike Mesdhetare)