Libri i hapur i durrsakëve
Dhimitër Isaku finalja e fortë e jetës
-Fjalë për një tjetër mbiemër të famshëm në Durrës – Isakët
-Ecja e qetë dhe e sigurtë i një punëtori dhe drejtuesi
-Thjeshtësia dhe komunikimi tipar i Isakëve
-Tentojmë sadopak të shkundim pluhurin e harresës
-Trashigimia e brezave vlerësim i barazvlefshëm
Nga BUJAR QESJA
Nuk lodhem, as ka për të më shkuar ndonjëherë ndërmënd, se mund të më ndodhë një gjë e tillë. Mosha ime 70 vjeçare kap në vëmëndje dy momente: së pari grup moshën 80-90 vjeçare dhe grupmoshën 50-60 vjeçare. E para më duket si mosha e prindit me fëmijët dhe e dyta, kthehem unë në prind për fëmijët. Kështu lëviz jeta dhe brezat alternohen se kush në të drejtën e vet.
Tani e vështroj jetën më ndryshe se më parë. Mosha e 80-të dhe e 90-të vjeçarëve janë në finale, janë në largimin nga kjo jetë. Ndodh kështu nëse gjërat rrjedhin në normalitet. Pikërisht këtë moshë, jam duke e vështruar me një mall të madh, me shumë emocion, me shumë kujtime dhe ngjarje jetësore. Nëse im atë Xhafer Qesja do të ishte me frymëmarrje, mosha e tij do të ishte diku tek 94-95 vite jetë. I binte të ishte moshatar pikërisht me këtë brez.
Kështu ndodh edhe në rastin e Dhimitër Isakut. Ecja e tij e qetë. Hapi i hedhur është i matur. Dy duar vendosur prapa dhe kryqëzuar me mesin e trupit. Mjedisi rreth tij është i zhurmshëm, me kalimtarë që ecin të çkujdesur, me automjete me kahje të ndyshme. Dhe ky Dhimitër Isak, i kërrusur jo pak nga pesha e viteve, ecën mendueshëm, i mbërthyer totalisht në vetminë e tij. E kam njohur këtë burrë të qetë, hera herës edhe energjik, me një fjalor të zgjedhur dhe i saktë në gjykim. E kam njohur që kur nisi profesionin e marangozit. Im vëlla Ylli, ende pa vënë brisk në faqe punoi në repartin e tij. Kështu që në familjen tonë, emri i Dhimitër Isakut lakohej thuajse çdo ditë. Isha shumë i ri për të gjykuar, por im atë fliste mirë për këtë Isak që vinte i katërti, nga dinastia e njohur e Isakëve të Durrësit.
Ia vlen të ndalem pak këtu. Janë dy fise të njohura Isakësh në këtë qytetin tonë mikpritës. Më të vjetrit më orjentojnë, që njëri fis është me preardhje nga Kruja dhe tjetri nga Kavaja. Ky Dhimitër Isaku im i këtij shkrimi, është nga Kavaja. Këta janë fëmijët e Mihal Isakut. Nis numurimi me Spiro Isakun, ish drejtor i NTSH-së së famshme, pas tij është Stefani, motra e vetme Parashqevia, rradha është tek Dhimitri për të sosur me Kostandinin, mekanik rrace. Ndërsa Isakët e Krujës, por edhe këta me një peshë të konsiderueshme në qytetarinë durrsake janë katër vëllezër: Isak Isaku, Ganiu, Skënderi dhe Agimi. Çfarë fisi? Kuadro dhe intelektualë të aftë. Ia vlen në një rast tjetër, të ulem dhe të godasë mbi tastjerë.
Në pozicionin që kaloj kohën paradite, më krijohet mundësia ta shikoj dhe ta ndjek me shumë kërshëri ecjen e Dhimitër Isakut. E vështroj me mall. E analizoj edhe vetminë e tij. Dhe çmoj ekzistencën në një finale, jo fort komode të jetës. Është i datëlindjes 1935 dhe vitin që vjen, fikson mbi shtat plot 87 vite jetë. Kisha dëshirë ta takoja. Të shkëmbeja pak fjalë me këtë njeri, që i vinte i freskët në kujtesën time të hershme.
E thërrita dhe qëndruam një ditë, më shumë në këmbë se sa ulur. Mësova se djali, Rolandi nga Gjermania ndodhet në Amerikë. Atje e çoi jeta dhe përballimi i vështirësive të saj. Pasi mori dëshminë e aftësive profesionale, si mekanik i cilësisë së lartë për riparimin e makinave qepëse në Gjermani, amerikanët i hapën dyert katër kanat. Tani është mjaft mirë. Vajza Manjola, ka krijuar familjen e saj dhe punon në Itali. Djali është shumë larg me banesë, ndërsa tek vajza shkon hera herës.
Por ajo që i djeg Dhimitër Isakut, është largimi nga jeta i gruas së tij të shtrenjtë Iljanës. Kjo korçare e zonja, që punoi një jetë në postën e qytetit, shumë e folshme dhe e respektuar, u sëmur dhe para shtatë viteve sosi frymarrjen e fundit. Dhimitri qendron i fortë, por humbjen e së shoqes nuk e mbajti.
-Si je me shëndet Dhimitër?
-Qendroj djali i Xhafës, qendroj. Gatuaj dhe ia bëj të gjithë shërbimet vetes. Humbja e gruas, i dha shans jo të favorshëm kësaj finaleje të jetës time. Në Itali tek vajza rinovoj dokumentat dhe ndihmohem edhe nga ana mjeksore.
Biseda u vërtit, tek punët që ka bërë Dhimitër Isaku. Nga punëntor në prodhim, duke punuar, studjuar dhe ngritur profesionalisht, u bë drejtor prej 11 vitësh i Ndërmarrjes Komunale Shërbimi (NKSH). Më pas po në këtë detyrë, drejtor i Ndërmarrjes Komunale Banesa (NK Banesa)dhe për shtatë vite të tjera drejtor i Ndërmarrjes Riparim Shërbimeve (NRSH). Këtu doli edhe në pension, pas një bashkëpunimi disavjeçar me kuadrin tjetër të njohur Rifat Dimni.
Dhimitër Isaku lëviz për çdo ditë në të njëjtin itenerar. Dhe për çdo ditë ndjek ecjen e tij, duke më parakaluar në memorie e tërë jeta e tij si kuadër, intelektual, por edhe si një durrsak që i ka dhënë shumë qytetarisë dhe civilizimit të shoqërisë durrsake. I thinjur plotësisht, por me shumë mendime në kokë. Mendime mbi punën e kryer, mbi personazhe të ndryshme të jetës, vërtiten si një ingranazh gjigand, të mbledhur në bobinën e mëndjes së tij ende të freskët.
Kënaqësia e tij e mëngjesit, është ajo kafja magjike që e ndan me dy miq të ngushtë: Demir Kokomanin dhe Ali Sinën. Janë pak vite pas tij, por shumë kohë së bashku në jetën e punës. Demiri është i ligështuar edhe nga sëmundja e vajzës, që është gruaja e shokut tonë të hershëm Dilaver Tepelenës.
Dhimitër Isaku! Mbiemër shumë i njohur në Durrës. Njerëzit e këtij fisi kanë dhënë shumë, ashtu sikundër fise të tjera, që i kemi patur personazhe të preferuara në shkrimet tona dhe të tjerë, të cilët me siguri do të jenë në vështrimet të tjera për më tej. Njerëz si Dhimitër Isaku, janë ende me frymë pranë nesh. Po mbijetojnë në mënyrën e tyre. Respekti rritet kundrejt moshës, por edhe asaj çfarë kanë dhënë. Mirnjohja ndaj një brezi që po na largohet, është një nder dhe respekt që i bëjmë vetes si pasardhës të tyre.
Këtë kemi nevojë ta ngulisim, si detyrim edhe i mirnjohjes, siç bëmë në rastin e Dhimitër Isakut.
Po na ikën një brez i artë qytetarie. E ne duhet të pranojmë ligjësitë e jetës.
Mbarësi dhe shëndet Dhimitër Isaku!
Durrës: 26 shtator 2021
Dy foto, një përmbajtje. 87 vjeçari Dhimitër Isaku (djathtas) dhe gazetari Bujar Qesja