Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Qytetaria durrsake është aq e gjërë, sa që më duket si një kopësht stërmadh ku janë mbjellë lulet më të bukura të botës. Nga nektari i këtyre luleve prodhohet mjaltë. Ky është shkaku që lapsi im, më duket si një bletë dhe prodhon mjaltë në kosheren e krijimtarisë. Dhe një lule e bukur, me ngjyra tërheqëse qëndron plot hijeshi në këtë kopësht të qytetarisë. Është Esat Kryeziu. Emër shumë i njohur, madje dominues në atletikën shqiptare, që për fat mbetet prodhim i atletikës durrsake.

Në lëvizjet normale që bëheshin Kosovë – Shqipëri dhe Shqipëri – Kosovë, babai i Esat Kryeziut Veliu, kalon nga rrethinat e Gjilanit dhe vendoset në fshatin Ballaj të Kavajës. Atje lindin tre djem Rifati, Esati dhe Ferhati. Kur pranvera ishte në mes të lulëzimit, në këtë fshat të Kavajës, u lind me 15 maj 1936 një djalë që do të ishte mburrja e atletikës. Pa mbushur katër vjeç, Esat Kryeziu humbet nënën e dashur Jetën dhe Veliu detyrohet ti dërgojë tre fëmijët në Gjilan për përkujdesje. Djali i dytë i Veli Kryeziut do të bëhej me histori, atë histori që do t’i mbulonte me nder dhe kënaqësi durrsakët, që plot krenari dhe mburrje nuk do të ndanin nga goja një emër: Esat Kryeziu.

Trupi i Esatit do të ngjasonte me një lis, që sa rritej i forcoheshin rrënjët dhe përballonte fortunat e jetës. Kur lapsi im filloi të “kullosë” në fushat e sportit, hasa Esat Kryeziun, i cili stërvitej i vetëm në një kënd të stadiumit të qytetit. Njerëzit e ndiqnin me kërshëri, pasi i tërhiqte vëmëndjen fuqia si një turbinë i këtij njeriu, ku vraponte dhe lëvizte krahun lart në formën e hedhjes së shtizës.

Në kohën kur e njoha, kishte bërë emër. Ishte në kulmin e formimit dhe hedhjet e tij mbeteshin gjithnjë fituese. Hushta, po  e përafërsojmë me terminologjinë historike të betejave të hershme, fluturonte në ajër dhe çponte fort objektin në rënie. Serioz, por e qeshura i shkonte. I urtë, por biseda i kishte lezet. Komunikonte pak, por thonte ato që duheshin. Trupi i tij vigan i vërtetë. Në tërësi kosovarët dallohen nga shtatlartësia dhe ky i yni me emrin Esat Kryeziu është nga më të mirët.

Kthehet nga fshati i lindjes Rrogoçica, në kufi me Bujanovcin dhe në vitin 1948 vjen të banojë diku në një sektor të Plazhit të Durrësit, atje ku është edhe sot. Vetëm 12 vjeç.  Miqtë e ndihmojnë të mbarojë mësimet  në Rezervat e Punës, kështu quheshin në atë kohë. Flitet për mesin e viteve 50-të. Dhe Esat Kryeziu punon në termoçentralin e Kombinatit të Tekstileve “Stalin”, ku asistenca teknike sovjetike ishte e pranishme.

Dhe më pas përfundimisht vendoset në Bazën Mekanike të Hekurrudhës, ku punon tërë kohën në punën delikate, të vështira, por shumë profesionale me lokomotivat me avull. Esat Kryeziu është rast i rrallë, mbase edhe i vetmi që nisi sportin në moshën 23 -24 vjeçare. Inxhinjeri i Bazës Petro Rupi, ndikon që Esat Kryeziu të përfshihet në ekipin përfaqësues të ndërmarrjes, në konkurim me rivalet gati në të gjitha llojet e sporteve. Ai vrapon, hedh diskun, shtyn gjylen, kërcen së gjati dhe trehapsh, por provon edhe shtizën. Dhe si rastësisht shtiza do të kthehej në “dashurinë” e tij sportive. Në majën e asaj shtize, do të vendosej jo vetëm talenti dhe pasioni i djaloshit, por do të qëndronin edhe sportëdashit e flaktë durrsakë të atletikës, të cilët gëzoheshin për ecurinë e Esat Kryeziut.

Rezultatet e papritura të të riut Esat Kryeziu, ranë në sy të specialistëve vendas. Ai i ftua të përfaqësojë Durrësin në spartakiadën e parë kombëtare të vitit 1959. Dhe rezultati ishte befasues. Pas asnjë ditë stërvitje, pa u marrë kurrë me sport veçse me dëshirë, Esat Kryeziu u rendit në vëndin e tretë. Dhe kariera e kosovarit nisi pikërisht këtu. Idriz Çinari, specialisti historik i atletikës durrsake nxitoi tek Esati, për ta lënë të mos iki më nga shtiza. Durrësi gjeti pronarin e hedhjes në këtë disiplinë dhe Esati befasinë e një çudie të papritur, që u kthye në një art. Duke e vendosur në atë vënd, që pak vite më parë as nuk mund të imagjinohej.

Qeshnim me të madhe me Esatin kur kujtonte, se shkonte në gara duke u përgatitur vetëm fizikisht. Vraponte, bënte veprime gjimnastikore, luante pak me top, përdorte shkallën suedeze, imitonte sikur po e shtynte shtizën etj. E gjitha kjo pasi mungonte shtiza. Dhe ndonjë që u sajua më vonë, ishte primitive, jashtë çdo standarti. Fillimi në shtizë, u shoqërua edhe me krijimin e familjes. Ai lidhi jeten me gruan fisnike edhe kjo nga Kosova Vera Spahiu, me të cilën zgjeruan familjen e tyre me dy vajza dhe një djalë. Mimoza mbaroi për matematike dhe është martuar në Tiranë. Engjëllushja përfundoi studimet e larta për frëngjisht dhe u lidh me fisin e njohur të Bajazitëve të Kavajës. Bashkshorti i saj është ish futbollisti i njohur i “Besës”, njeriu shumë popullor në Kavajë Dashnor Bajaziti. Ndërsa Bekimi, nga martesa me farmacisten Orgesa Hudhra, u shtua me dy vajza me emrat Virna dhe Juna. Dhuratë e paçmuar për gjyshi Esatin. Edhe Bekimi është me shkollë të lartë, iu nënshtrua studimeve në Universitetin e Sporteve.

Punë, stërvitje, prind shembullor, banor aktiv në lagjen ku banonte, ky mund të jetë portreti i Esat Kryeziut. Ai mbetet në çdo fushë i respektuar. Megjithë vështirësitë ekonomike, megjithë përparimin që po bënte në hedhjen e shtizës, Esat Kryeziu ishte i bindur për detyrat e tij. Ai nuk kërkonte por jepte. Ai nuk kërkonte të çmohej, por vetëm çmonte. Mbase nuk nxitohem, që nëpër rradhët e këtij shkrimi të jap një lajm  të gëzueshëm. Në moshën 85 vjeçare më në fund Esat Kryeziut, kampionit të madh të shtizës, do t’i jepet titulli i lartë “Mjeshtër i Madh”. Pritet të marrë atë që meriton, pasi jetoi gjatë për t’u gëzuar në çdo qelizë të shpirtit të tij.

E ndjej kënaqësinë, i prek vështirësitë që ka kaluar, prek gjithashtu edhe mirësinë, që pa iu ndjerë zëri bëri atë që mundi, ashtu si mundi dhe i bëri mirë. Në vitin 1964 filloi të fryejë era Kryeziu në hedhjen e shtizës. Kampion kombëtar dhe e mbajti këtë titull plot 10 vite. Përmirësoi 12 rekorde kombëtare. I filloi rekordet nga 55 metra dhe i la në 64 metra. Për çdo vit Esat Kryeziu, i ndreqte rekordet me 1 metër më shumë. Para të shumtave, po trajtojmë vetëm dy gjëra:

E para

Në një garë kombëtare që zhvillohej në Vlorë, Esat ishtë i lënduar fort në brryl. Në hedhjen e parë shtiza e tij u fik. I madhi mjeshtër, por i madhi edhe si njeri Petrit Murzaku rekordin e të cilit kishte thyer Esati, kishte ardhë për peshkim në Vlorë. Por mikrobi i vjetër nuk e linte dhe shkoi në fushën ku bëheshin garat. Pasi vuri re që Esatit nuk po i ecte gara, kapërcen rrethimin dhe vrap në drejtim të tij.

-Çfarë ke që nuk je në rregull?

-Krahu Petrit, krahu.

Petriti vuri duar në kokë për dëmtimin që kishte Esati. Koha për të bërë hedhjen e dytë të shtizës vinte pas 15 minutash. Mori shpejt akull, më fërkime në formë masazhi. Esati mori veten dhe krahun e ndjeu më të lehtë. Në hedhjen e dytë shtiza e Esat Kryeziut “përqafoi” rekordin e rradhës. Dhe përqafimi i dytë i takoi Petrit Murzakut.

E dyta

Në vitin 1972 kur erdhën specialistët e famshëm kinezë të atletikës në vëndin tonë, transmetuan një përvojë jo të vogël për atletët tanë. Vunë re që Esat Kryeziu ishte shumë i talentuar, por i trajnuar jo mjaftueshëm. Shumë vërejtje duke filluar që nga cilësia e shtizës, pozicioni i mabjtjes, sprinti final etj. Dhe i thanë:

-Nëse do të ti kishin bërë këto vërejtje kur ishe në fillim të karierës, do ishe sot një kampion të madh në nivele botërore. 

Superlativa tjetër kineze ishte edhe në rastin kur mësuan, se ky kampion shqiptar e filloi shtizën në moshën 24 vjeçare. Ky fizik, ky talent, kjo forcë e paparë, po të kishte filluar stërvitet shumë vite më i ri, do të ishte i paparashikueshëm.

Profetike një shprehje e njërit prej gjigandëve të atletikës durrsake Rruf Kazazit, që pasi u kthye në Durrës nga grupi i “Parizanit”, ku shkëlqeu në hedhjen e çekiçit duke u vendosur në 12 më të mirët e botës për fundin e viteve 50-të, u shpreh:

-Më bëri përshtypje një atlet i gjatë, me grupe muskujsh për hedhje të shkëlqyera, por rezultatet mbeteshin modeste. Të dhënat fizike dhe sportive të Esat Kryeziut ishin shumë të mira. Iu futëm një pune serioze së bashku me Esatin dhe ai filloi të thyente rekordet kombëtare, duke bërë jehonë të jashtëzakonshme në Durrës dhe në mbarë vëndin.

Esat Kryeziu u shkëput nga shtiza në vitin 1997, duke e mbajtur atë në krah plot 38 vite. Por traktori i fuqisë së tij, punoi arën djerrë në hedhjen e shtizës, duke mbjellë në tokën e përmirësuar 12 rekorde kombëtare. Në çdo qytet që garonte shënonte rekorde kombëtare. Punoi edhe si trajner. Enver Mysja, trajneri që spikati dhe stërviti Mirela Manjanin, vajzën durrsake, të ëmblën dhe të bukurën tonë, kampionen e botës në vitin 1999 në Spanjë, u spikat nga Esati. Edhe kjo tjetra. Kampioni dhe rekordmeni kombëtar, që zëvëndësoi Esat Kryeziun, është nxënësi i tij, atleti i tij Nevruz Sheshi që kaloi kufirin e 64 metrave.

Esat Kryeziu! Një emër i madh i atletikës. Kaloi momente trishtimi kur u largua nga jeta Vera e tij e dashur, që tentoi t’ia bënte verë jetën të mirit Esat Kryeziu, por ja që shëndeti dhe mbështetja e fëmijve e mbajtën. E mbajtën atë burrë të nderuar, që të mbetej lis i gjatë, i palëkundur dhe me rrënjë të thella, bash si kosovarët kreshnikë të fisit të njohur të Kryezive të Rrogoçicës. Kryeziu është aq i fortë, që jo vetëm dorën ke frikë t’ia shtrëngosh, por toka ende lëkundet nga puna e tij aktive, duke i bërë shërbimet perimeve dhe frutave të shumëllojshme të bahçes së tij.

Një jetë e ngarkuar me ulje dhe ngritje, por e shoqëruar me rekorde. Me rekorde në sport, në punë, e kudo. Dhe rekordi më i madh mbetet edhe ky titull “Mjeshtër i Madh”. Ta gëzosh këtë arritje Esat, biri i Kosovës, por djali i patjetërsueshëm i Durrësit!

 Ti na le shumë rekorde. Por rekord mbi rekordet mbetet portreti yt, i zbukuruar  me fisnikërinë e një njeriu, që bëri mirë në jetën e vet. Ti e hodhe shtizën lart, shumë lart, por më shumë se kaq hodhe më të mirat e tua, duke lënë të paprekur krenarinë e një emri Esat Kryeziu.

Durrës: 4 dhjetor 2021