Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
I kisha rrotulluar këto mendime, në mëndjen time gjithnjë të pacënuar prej javësh. E dija që me 27 tetor të vitit 2021, Qemal Kërtusha, zëri kualifikues dhe ndriçues i Durrësit, do të ketë 90-të vjetorin e lindjes. E unë si djali i mikut të tij gjithnjë i pa zbehur Xhafer Qesja, por edhe si i hershëm i simpatisë për babain e këngës durrsake Qemal Kërtushën, doja të hidhesha në prehërin e kënaqësisë, duke u shprehur për të. Nuk doja të bëja një rrëfim rutinë, formal, që bie në një lloj prozaizmi shtampë, kornizë dhe bajat. Nuk doja përshëmbull të thoja thjesht këtë: Qemal Kërtusha lindi në Durrës me 27 tetor 1931. Që këndoi në karrierë mbi 1000 këngë, në 12 gjuhë të huaja, që mori pjesë në 17 festivale të këngës dhe që tronditi skena të tilla jashtë Atdheut si Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Turqi, Greqi, Libi, Egjipt, Marok, Algjeri, Mongoli, Bashkimin Sovjetik, Kinë, Vietnam, Kore etj.
Kërkoja të çbiroja në një jetë më intime, më personale, më të patreguar më parë. Këtu mund të kisha më hapsirë, pasi në formate të tjera për Qemal Kërtushën është bërë “gropë”, aq tepër janë hedhur rradhë. Shumë shkrime dhe të gjitha gati në një pikë. Ka kënduar këtë këngë, filloi të herët ti dëgjohet zëri, mësuesja e tij e kantos ka qenë Marije Kraja, etj, etj. Natyrisht çdo gjë, për këtë stekë të këngës durrsake vlen. Është informacion dhe unë do tentoj të dalë dukshëm prej këtej. Kam bindjen se në disa fakte, mund të jem i pari që i kap dhe kjo padyshim më jep një suport profesional.
Kam mbi një vit që nuk e shikoj Qemal Kërtushën dhe besniken e tij prej 66 vitesh Meremen. Kur vinte tek unë, qendronim pak. Rrufutnim 20-25 gram raki dhe bënim shumë muhabete. Dhe këtu e qeshura jonë kalonte kufijtë e normalitetit. Qemali është arsenal, teksa me tejqyrën e mëndjes së tij ka të freskëta shumë shikime. Tregimet e tij për Nikolin Xhojën, për Xhafer Qesjen, për Feruz Matajn dhe Naim Haznedarin, për Bajram Thërminë, për shumë e shumë personazhe të famshëm në Durrës janë unikale. Ja një rrëfim:
-Kur Xhafer Qesja, si sekretar i Frontit Demokratik për Rrethin e Durrësit ishte caktuar të shkonte në një fshat të Rrogozhinës, ai mori me vete Nikolin Xhojën dhe mua. Ishim në mos gaboj në Hajdaraj. Një fshatari të dalluar në punët e frontit, do t’i dhurohej një pikturë ku ishin të katër klasikët e marksizëm leninizmit. Ato ishin të katër me mjekër.
Hëngrëm darkë dhe u larguam të nesërmen nga fshati. Pas dy ditësh në zyrën e Frontit në Durrës vjen fshatari. Ai ishte stërlodhur duke mbajtur të katër “klasikët” dhe mezi ndali frymën në këtë derë të frontit.
-Merreni këtë dhuratë. Nuk e dua. Nuk kemi fjetur tërë natën. Na kanë tmerruar këto fytyra, njëra më e zezë se tjetra. Plaku kish dalë në kopësht dhe atje e zbardhi natën. Jemi të tronditur! Ju falenderojmë për respektin! Nuk duam gjë! Na keni bërë nder, po t’ju kthejmë këtë të mirë që na keni bërë.
Eh mor Qemal, i thashë. Vdiqëm duke qesh. E ku dinte fshatari klasikët, Marksin, Engelsin, Leninin dhe Stalinin. Të katër mjekra të bashkuara, dukeshin si një deng me lesh, e fshatarin kjo gjë e lemerisi. Janë shumë tregime, veçanërisht me Nikolin Xhojën. Por dua të kthehem tek Qemal Kërtusha. Në të gjitha ato që janë thënë, për këtë përfaqësues të Durrësit në këngë mungon pozicioni i të shoqes, i pjesës tjetër të familjes. Po tentoj ta plotësoj disi.
Lidhem me telefon me Qemal Kërtushën, jo më larg se 24 orë më parë. Doja ti dëgjoja zërin, por pa i treguar se cili isha. Dhe frymëzuesi i këngës durrsake, krejt i qetë vazhdonte të më tregonte se çfarë i kërkoja. Nuk mund ta uroja më parë për 90-të vjetorin e lindjes. Dhuratën po ja përgatis. S’ka më mirë dhe më bukur. Një djalë i një mikut të tij, por edhe mik i thekur me të, do ti merrte pak orë jetës, për t’ia shtuar në formë të një rrëfimi jetës së një emri të njohur, një krenarie të artit dhe kulturës durrsake, një protogonisti historik të qytetarisë durrsake, kryelartësia me të cilin ai e ngriti Durrësin, është një nder për të gjithë ne që kemi pasaportën e qytetit.
Qemal Kërtusha historia i këtij kolosi 90-të vjeçar të këngës, që qëndron edhe më tej në pozicione të avantazhuara të një jetë aktive në vijimësi. Ai është i mbyllur në shtëpi për t’i shpëtuar të keqes, që është veshur me misterin e një errësirë të pafund. Por gjithashtu të jetë më racional në kursimin e energjive, pasi duke banuar në katin e pestë, vështirësia e shkallëve ngjason me një sharrë prerëse. Me Meremen e tij, këtë grua të artë, që nuk i është ndarë të shoqit që nga viti 1954, Qemal Kërtusha zbardh dhe ngrys ditët, duke iu drejtuar optimist mbylljes së vitit 2021.
Pasi më tregoi se është i biri i Aliut dhe Nuries, dy durrsakë të një kohe shumë të hershme, iu përgjigj ngacmimit tim se a ka ndonjë histori se si është lidhur me Meremen, me këtë grua artiste si i shoqi, me një humor që nuk shter, me një dashuri për jetën, për familjen, për të njohurit që nuk mbaron?
Dhe tregimi ishte aq i thjeshtë, por shumë me humor.
-Kur isha në Ansamblin e ushtrisë, fleja me një dhomë me Nikolla Zoraqin, violinist dhe dirigjent. Doja të shkoja me leje në shtëpi, në Durrës. Pasi vesh rrobat civile të Nikollës, vrapoj për tek treni. Mezi gjej një gabinë bosh dhe në një qoshe rrinte një vajzë e njomë, që më shikonte si me ndrojtje. E pyeta: se ku banonte? Më tha në Durrës. Si e keni mbiemrin? Cerloj, ma ktheu. Jam e bija e Rifat Cërlojit!
Dhe Qemali vazhdon rrëfimin e tij:
-Ikbale Cërlojin, motrën e saj e njihja, pasi ishim së bashku në korin e qytetit që drejtonte Pjetër Dungu. Në një rast teksa udhëtonte për në Shkodër, kjo vajzë simpatike më përshëndet nga autobuzi, duke më ngritur dorën. Edhe unë gjithashtu. Një ditë e ndal dhe nuk mu durua pa ja thënë: Moj goc ti më ke hyrë në zemër. Dua të jesh e imja. Thuaja edhe shtëpisë këtë. Rifati i thotë të bijës Bales:
-Shko e takoje atë Qemal Kërtushën në Tiranë dhe thuaja që e ka seriozisht me Meremen. Kur Bali vjen në Tiranë, më shikon mua teksa po dilja me disa balerina. Ti paske gjithë këto, e si të shkon mëndja tek Meremja…
Por Mereme Cërloj për Qemalin, ishte më ndryshe nga të tjerat. Ai ndërtoi me Mereme Cërlojin një familje të shëndoshë, duke u shtuar me dy djem dhe një vajzë. Djali i madh Agimi është me dy djem dhe ka mbaruar ekonomikun. Vajza Ermira, studioi për bio kimi dhe punon si mësuese.
Bashkëshorti i saj është poeti i njohur, njeriu zotni, mësuesi i letërsisë Ruzhdi Gole. Katërshja e familjes së tyre përbëhet nga djali Redi dhe vajza Zaira. Mbaroi shkëlqyeshëm shkollën e mesme dhe tani studion në Gjermani. Ndërsa djali i dytë Arbeni jeton në Calliano, në provincën Trentino Alto Adige Itali dhe ka dy djem. Kjo është pasuria e Qemal Kërtushës, i cili me 27 tetor 2021, është në 90-të vjetorin e lindjes.
Gjërat që nuk dihen për Qemalin është se, jetën e punës e filloi si mekanik, axhustator në kantjerin detar. Atje bëri mik me kokë të mrekullueshmin Naim Haznedari. Por ndërkohë Qemal Kërtusha renditet edhe me ekipin e futbollit “Ylli i Kuq” i Durrësit në vitin 1948. Ai kujton se në ekip luante përkrah shokëve që i kujton me mall Mustafa Hajdari, Skënder Jareci, Qemal Vogli, Banush Pasha, Kel Muka, Latif Thërmija, Shaban Belba, Taq Murati, Spiro Korçari, Sedat Ohri etj. Në ekip aktivizohej si allo i majtë, thuhej në atë kohë.
I kërkova të njihem me disa hollësi për këngën himn, atë që na frymëzon, që na bën më durrsakë, që na lidh dhe na bashkon, që na drithëron dhe lumturon, ku Dhimitraqi Goga nuk i përmbante emocionet sa herë që e dëgjonte. Është kënga e jonë e pandrruar: “Të falem i bukuri Durrës”.
-Takova me Enver Marën, nis të më tregoj Qemali. Dhe biseduam gjatë. Donim të kishim një këngë për Durrësin, që të ishte fytyra e jonë, ajo që do të na bashkonte në një hap dhe në një shpirt. Enveri e kishte qarë melodinë. E thjeshtë por ta çante zemrën. Por ishte problemi i tekstit. I thashë Verit, do të bisedoj me mësuesin tim të letërsisë, burrin zotni dhe shumë të zotin Hysen Çelën. Dhe shkova dhe ia thashë se si e kemi hallin. Hysen Çela sapo kishte dalë nga ajo burgosje e pakuptimtë me etiketën e frikshme” agjitacion e propagandë”. I kërkova të mos ketë politikë brenda, por vetëm natyrë dhe mjedis qytetar durrsak.
Pimë një kafe tek klubi i gjuetarëve. Mjeshtri i letërsisë Hysen Çela, u befasua nga muzika e Enver Marës. Siç mësova Hysen Çela nuk fjeti atë natë dhe në mëngjes na solli tekstin e plotë. Është ai tekst që s’ka për ta humbur kurrë shijen e përkryer që krijoi. Së bashku me melodinë, kënga “Të falem i bukuri Durrës” mbetet vlerë e vlerave të kulturës durrsake. Kënga u publiku për herë të parë, më duket në vitin 1963 dhe fitoi vendin e parë në anketën muzikore të Radio Tiranës.
Dhe teksa Qemal Kërtusha qante përtej telefonit edhe ashtu në ngashërim, ai filloi të më këndoj vargjet, para të cilave zor se mbetet njeri pa u dorëzuar:
Një këngë unë për ju do këndoj,
Që Durrësit me mall ja kushtoj,
E ngrohët, e lirë le tingëlloj.
Dhe jehona e saj, në çdo anë le të ushtoj.
Sot kangën ma t’bukur krenare
Qytetit ku linda ja këndoj,
Kudo melodia gazmore.
E ngrohët, e lirë le t’kumboj.
Të falem i bukuri Durrës,
Me mallë, me afsh të këndoj.
S’të harroj, unë ty kurrën e kurrës
Me asnjë qytet, nuk të ndërroj.
Rrethuar me kodra bleroshe,
Që sipër të rrinë kunorë,
I vogël, i lanun dje ishe,
Por sot je një port madhështor.
O Durrës i dashur me nam,
Gjithnji këtu në zemër të kam
Gjithnji të kam,
me mall këndoj gjithmonë.
Eh Qemal, Qemal! Sa herë që e ke kënduar dhe e këndon këtë këngë, aq herë dashuria për Durrësin depërton në çdo qelizë timen, në çdo qelizë tënden, në çdo qelizë tonën. Është kjo dashuri për Durrësin, që na frymëzon dhe na bën më shumë detyrues ndaj vendlindjes tonë, që na lehtëson në punët tona dhe na angazhon maskimalisht për çdo ndërmarrje të re.
Qemal Kërtusha 90 vjeç. Më duket sikur i gjithë Durrësi feston. Dhe kështu është. Është zëri ynë që feston. Me këtë zë mburremi. Me këtë jemi ndjerë krenaë sa e sa herë. Pse nuk ka ndodhur kështu, në festivalin e parë të këngës në Radio Televizion me “Fëmijë e parë”, “Mos më qorto”, “Vashëzo”, ku im atë na bënte thirrje të mos flas asnjë deri sa të ndalojë këngën “Qemali ynë”? Po kur interpretoi në operan “Bijtë e Skënderbëut”? Po kur interpretoi këngën popullore “Kapidan o djalë i ri”? Po kur, po kur…? Dhe këto po kur… janë pambarim, ashtu si vetë rruga artistike plot histori suksesi i Qemal Kërtushës, në përmasa historike për këngën e lehtë dhe atë popullore kombëtare.
Vetëm 33 vjeç bëhet “Artist i Merituar”. Vetëm 34 vjeç dhe realizon recitalin e parë. Zëri i tij është ulur këmbëkryq në arkivën dhe fondin e artë të muzikës me opera dhe opereta, më këngë masive dhe këngë partizane, me muzikë të lehtë dhe popullore, me gjithçka që i qëndron komod zërit të tij mahnitës.
Mira, e bija ecën për çdo ditë, aty ku unë kaloj ditën e punës. Qemali si natyrë sportive, lexon të përditshmen “Panorama Sport”. Por ai nuk del tashmë, por ne miqtë e tij e dimë këtë.
-Mos më keqkupto Mira! Merre “Panorama Sport” dhe çoja Qemalit! Ai s’ka pse ta prishë adetin e tij! Jemi ne të tjerët që nuk e harrojmë, por e kemi gjithnjë pranë ashtu si vetë zërin e tij. Merre Mira dhe bëji shumë të fala! Përshëndete nga ne! Përqafoje dhe uroji jetë të gjatë Qemalit tënd, por që është edhe Qemali im dhe i të gjithëve!
“Qytetari i Nderi i Durrësit”, “Mjeshtri i Madh”, “Artisti i Merituar”, këngëtari i çquar, pa dashur ta krahasoj më zërat e famshëm të këngëtarëve të hershëm italianë, me 27 tetor 2021 është në 90-të vjetorin e lindjes.
Gjithnjë pranë nesh Qemal Kërtusha!
Durrës: 27 tetor 2021