Nga BUJAR QESJA

Shkas për këto rradhë, u bë një shënim ndër shumë komentet për shkrimin kushtuar Hasan Korrës, në ditën e largimit të tij nga jeta. Shënimi ka mbi krye emrin Klodiana Klodia dhe lexojmë:

-Faleminderit që i kujtoni sportistët e vjetër, ku njëri prej tyre është edhe babai im Shefik Dervishi, që ka vdekur me 13 mars 2020. Qoftë i xhenetit Hasan Korra!

Më tërhoqi vëmëndjen fakti, që Shefik Dervishi një nga atletët më cilësorë që ka patur atletika durrsake, nuk jeton dhe heshtje e plotë për këtë. Të paktën mua nuk do të më falej kjo gjë. Kam shkruar shumë dhe mbase kështu do të bëj edhe më tej. Por të mos flisje për Shefik Dervishin, është një gabim që rëndon. Kjo Klodiana Klodia e fb, qënka vajza e tretë e Shefik Dervishit dhe banoka në Gjermani.

Pasi komunikova me të, u bë e qartë se Shefik Dervishi, si rezultat i një ataku rebel kardiak, që u shoqërua me çarje të aortës, ndahet nga kjo jetë me 13 mars të vitit 2020. Por të gjithë ne ishim mbyllur brenda banesave, për të mos ditur se çfar bëhet plot 60 ditë. Dhe Shefiku ynë, ai që pritej me ovacione nga mijrat e sportëdashësve në stadium, kur priste shiritet e finisheve në garat e gjysmë thellësisë me atë sprintin e tij triumfues, ku brenda hapit të tij ishte vendosur edhe krenaria dhe mburrja e jonë, nuk jeton. Këtë gjë nuk e dija dhe ma do mëndja edhe shumë e shumë të tjerë nuk e dinë. Dhe fuqia e këtij lajmi të dhimbshëm është e tillë, saqë më duket se Shefik Dervishi sapo na la.

Ai ishte një atlet i të tilla përmasave, që vëndi ynë pas largimit të tij nga vrapimi nuk i ka më. Hapi i tij i shtrirë, energjia e tij e pambarimtë, përfundim i garës sikur të ishte fillimi i saj, emocionet e jashtëzakonshme që na krijonte, nuk kanë për t’u harruar kurrë. Ai është në dheun e Durrësit të tij që e donte si nëna fëmijën, që me 13 mars 2020, por është edhe në shpirtin e durrsakëve që aq shumë iu përkushtua, sa të jetë jeta. Prandaj edhe formulova bindjen, se nuk na falej nëse nuk shkruanim për të, për mburrjen tonë, që na dha aq shumë nder dhe falur atë krenari, që sigurisht edhe kjo nuk do të harrohet kurrë.

E pata takuar për herë të fundit para pesë apo gjashtë vitesh, në zyrat e Klubit Shumësportesh “Teuta”. Më kishte marrë malli. Ishte po ai Shefik, i thjeshtë, i ndrojtur, që kurrë nuk i nxorri në pah meritat dhe vlerat e tij. Ai i takon atyre njerëzve që meritojnë njëmijë herë respektin tonë, pasi dha atë që dinte dhe që kishte dhe nuk mori atë vlerë, që ia taksi talenti dhe cilësitë e një atleti të rrallë. Shefik Dervishin do ta cilësoja, pa dashur ti grisim hakun askujt, një histori e atletikës durrsake dhe shqiptare. Hapi i tij kur vraponte, nuk takonte në tokë dhe më dukej si njeriu i erës.

Dhe ironia vjen e ulet pranë, ashtu si vetë talenti i tij. Bojaxhi me kategorinë e shtatë dhe punëtor ngarkim shkarkimi në fabrikën e miellit, që përfshiheshin në ndërmarrjen e grumbullimit. Kur ishte Nest Petani shef klubi, sa herë e shikoja të vinte në zyra ashtu i mbuluar tërë miell, i miri ynë, njerëzori ynë, talenti ynë, modestinë e të cilit zor se mund ta ketë një i dytë. Dhe mezi priste garat e rradhës për të na nderuar, për të thënë që Durrësi do ti mbaj lart traditat në atletikë, duke krijuar atë kurorë të artë brezash ku shndrijnë yje të tillë si Rruf Kazazi, Idriz Çinari, Iliaz Elezi, Esat Kryeziu, Mirela Manjani, Pina Thani, Marinda Preka, Elizabeta Muça, Fatbardha Dervishi, Halit Dapi, Pranvera Dyrmishi, Zamira Koçi, Daut Falli, Hasan Korra etj.

Aq shpirt të jashtëzakonshëm vrapimi ka patur Shefik Dervishi, sa edhe problemi i rrallë që kishte në shputat e këmbëve, bëri që të habiste edhe më skeptikun, për rezultatet e larta që dhuronte. Lindja e tij është 6 shkurti i vitit 1944. Dhe shpejt filloi të konkuroj erën. 12 vjeç nisi vrapimin, për të mos e ndalur në kufirin e 40 viteve. Diçka e rrallë kjo. Dhe të largohet nga sporti si kampion dhe jo si një vegjetues, për të përfituar atë që se meritonte. Shefik Dervishi është parë të vrapojë që në vitin 1959 në Spartakiadën kombëtare të pionierëve, ku në 400 dhe 800 metra u rendit i dyti.

Do të vinte viti 1966, që Shefik Dervishi do të bëhej binjakë me vendin e parë në distancat e vrapimit 5000 dhe 10000 metra. Dhe do ta mbronte vëndin e parë deri në vitin 1983, kur steka e moshës së tij u ngrit në lartësine e 39 viteve. Përmirësoi 6 herë rekordet kombëtare në 5000 dhe 10000 metrave, duke qenë kampion absolut për 17 vite dhe dominuar plotësisht në atletikën kombëtare në këto distanca. Kampion në maratonën e 20 kilometrave në vitin 1972 dhe përfaqëson Shqipërinë në veprimtaritë ndërkombëtare.

Nga këto që po shkruaj, nuk është e vështirë të kuptohet se çfarë atleti kemi humbur, se sa i ka dhënë ai Durrësit dhe Shqipërisë dhe largimi i tij kaloi në heshtje. Le t’ia lemë edhe pandemisë dhe këtu kemi pak të drejtë. Por tani që u mësua ky lajm dhe fare rastësisht, gjërat duhet të ndryshojnë. Natyrisht Gjergj Ruli, tani me cilësinë e presidentit të FSHA-së e meriton titullin “Nderi i Kombit”, por brenda këtij nderi, është edhe nderi i atletikës shqiptare Shefik Dervishi, që mbretëroi i sigurtë në një periudhë gati 20 vjecare. Duhet bërë vlerësimi i merituar për Shefikun tonë, i cili edhe në parajsën e tij na dëgjon.

Babai i respektuar i tre vajzave, jetoi deri në fund me dashurinë për to dhe bashkëshorten. Punoi pa u ndaluar sa në Itali, sa në Greqi, që gjithnjë djersa ashtu si edhe në atletikë ti ndriçonte zemrën, ti shkëlqente fytyrën, ti rriste autoritetin, duke treguar gadishmërinë e një njeriu, që ruante personalitetin deri në fryëmëmarjen e fundit. Pasojat e një vrapimi marramendës, me shpejtësinë e mëndjes dhe të pasionit të tij, do ti ndjente kur la pas të 70-tat. Dy herë kaloi trompozë. Dhe kampioni ynë qendroi në jetë. I çfaqet edhe një diabet aktiv, që po e brente gradualisht, mjeshtrin e sportit, kampionin e qytetarisë durrsake ne atletikë.

Pse e takova në Klubin Shumsportesh “Teuta para 6 vitesh? Më në fund e zbulova, nga shkresat zyrtare të dërguara nga sekretarët e klubeve në vite në drejtim të Federatës Shqiptare të Atletikës, që të përpiqej në instanca për ti dhënë pension të veçantë, kësaj mrekullie të atletikës. Kur e shikoja ashtu të heshtur në zyrat e shtetit, më erdhën fuqishëm në kujtesë thirrjet e një populli, që inkurajonin djalin e tyre si fitimtari i finishit. Ky Shefik sapo i kishte lënë pas të 70-tat dhe kërkonte ti vlerësohej sadopak djersa e tij, e derdhur me kova për këtë shtet, për këtë popull, për këta njerëz që u mrekulluan nga talenti i një djaloshi, i cili i mbajti gjallë shpresat e tyre për më mirë.

Pensioni që merrte, ishte për tu përplasur pas murit. Nuk donte të rëndonte asnjë, pasi secili në këto kohë të vështira është në hallin e tij. Mendonte se djersa e tij të paktën, e kishte vlerën e disa kacidheve më shumë. Mendonte se zëri i fuqishëm i mijrave pasionantëve të atletikës, do të bashkohej si një kor gjigand për ti thënë qeverisë, se Shefiku i tyre meritonte edhe më shumë se kaq. Por nuk qe e thënë.

Do të vinte 13 marsi i vitit 2020, që së bashku me largimin nga jeta të Shefik Dervishit, të ofrohej pesha e përgjegjësisë për heshtjen ndaj këtij kolosi të atletikës. Të paktën një veprim duhej bërë, për të thërritur me të madhe:

– Hej, një kampion i jashtëzakonshëm nuk jeton! Në zemrën e plasur, është edhe pjesë halleve që kaloi.

E unë të paktën, e dhashë një shenjë. Është shenja e respektit, mos harresës dhe mirnjohjes për një kampion të madh. Është kampioni ynë që çonte në maja kënaqësitë e një populli. Është mrekullia e jonë. Është Shefik Dervishi.