Në Ditën Botërore të Punës Sociale janë licensuar 300 punonjësit e parë socialë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, së bashku me përfaqësuesin e UNICEF në Shqipëri, Dr.Roberto Bernardi, Kryetarin e Urdhrit të Punonjësit Social, Mirgit Vataj dhe Shefen e Departamentit të Punës Sociale, Eliona Kulluri, kanë shpërndarë certifikatat e para të licensimit për punonjësit socialë në vend.
“Sot jam e lumtur që së bashku me ata që për herë të parë kanë bërë të mundur ngritjen e Urdhrit të Punonjësit Social, jemi këtu për të dhënë licencat e para të punonjësve social”, tha Manastirliu.
Në fjalën e saj, ministrja Manastirliu nënvizoi fuqizimin e rolit të punonjësit social në protokollet e shërbimit spitalor, por edhe në shërbimin parësor me krijimin e qendrave socio-shëndetësore.
“Vëmendja jonë është në fuqizimin e rolit të punonjësit social, në zgjerimin e bazës së shërbimeve ku punonjësi social të jetë pjesë integrale. Strategjia jonë e kujdesit parësor përmban pikërisht një komponent kyç që ka të bëjë me komponentin socio-shëndetësor, integrimin e shërbimeve që ofrohen në shëndetësi, ku një rol më të rëndësishëm ka figura e punonjësit social dhe psikologut brenda kujdesit parësor. 50 punonjësit socialë dhe psikologët e parë tashmë janë atashuar pranë qendrave shëndetësore dhe brenda këtij viti, ne do të kemi edhe 50 punonjës të tjerë, psikologë dhe punonjës socialë, të cilët do të atashohen në strukturat e kujdesit parësor në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Manastirliu.
Punonjësit Social janë përfshirë edhe në reformën për vlerësimin e individëve më aftësi të kufizuara, si anëtarë në komisionet bio-psiko-sociale dhe pjesë e vlerësimit multidisiplinar. Aktualisht, janë 21 punonjës social pjesë e këtyre Komisioneve të ngritura në 12 Qarqet e vendit. Gjithashtu punonjësit socialë janë pjesë e strukturave shëndetësore, sociale, arsimore, të drejtësisë, etj.
Një vit pas ngritjes së Urdhrit të Punonjësve Social, në Ditën Botërore të Punës Sociale dhe në Muajin e Punës Sociale u akorduan 300 licensat e para për punonjësit socialë në Republikën e Shqipërisë, pas një procesi të gjatë pune të organeve të Urdhrit të Punonjësit Social.