Për ndarjen nga jeta të ish-presidentit amerikan Jimmy Carter kanë reaguar një pjesë e madhe e liderëve botërore të cilët kanë vlerësuar atë që ai la pas. Presidenti i SHBA Joe Biden kujtoi ish-presidentin e SHBA Jimmy Carter si “një burrë shteti, një humanitar dhe një mik i dashur”, i cili ndërmjetësoi paqen midis Izraelit dhe Egjiptit dhe vite më vonë mori Nobelin Çmimi i Paqes për punën e tij humanitare.
“Amerika dhe bota humbën një lider të shquar. Ai ishte një burrë shteti dhe një humanitar. Jill dhe unë humbëm një mik të dashur. Unë kam patur fatin që të zhvilloja biseda të shumta me me Jimmy Carter për më shumë se 50 vjet. Ai punoi për të zhdukur sëmundjet në mbarë botën, solli paqe, avancoi për të rrespektuar të drejtat drejtat e njeriut, promovoi zgjedhje të lira dhe të ndershme në mbarë botën. Jimmy Carter qëndron si një model i asaj që do të thotë të jetosh një jetë me kuptim dhe qëllim, një jetë me parime, besim dhe përulësi. E gjithë familja Carter, në emër të botës dërgojmë ngushëllime dhe mirënjohjen tonë të përzemërt për ndarjen nga jeta të Presidentit Carter.”
Gjithashtu Kamala Harris, George W. Bush, Donald Trump dhe Barack Obama bënë homazhe për jetën e ish-presidentit Jimmy Carter në rrjetet sociale. Harris u shpreh se Jimmy Carter është një dëshmi e fuqisë së shërbimit, si një toger në Marinën e Shteteve të Bashkuara, Guvernatori i 76-të i Gjeorgjisë dhe Presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara, ndërsa ndërmjetësoi një traktat historik paqeje midis Egjiptit dhe Izraelit në Camp David.
George W. Bush e cilëson Carter si një njeri human dhe e vlerëson atë si një frymëzim për amerikanët për breza me rradhë. Gjithashtu edhe presidenti i zgjedhur Donald Trump u shpreh se ai punoi shumë për ta bërë Amerikën një vend më të mirë. Ndërkaq edhe ish presidenti amerikan Barack Obama u shpreh se Carter u mësoi botës të jetosh me dinjitet dhe drejtësi.
Nga ana tjetër Kryeministri i Australisë shkroi në një postim në platformën e mediave sociale “X”, duke e vlerësuar Carter si një “humanitar i vërtetë që ia kushtoi jetën e tij çrrënjosjes së sëmundjeve, parandalimit të konflikteve, trajtimit të varfërisë dhe fushatës për të drejtat e njeriut”. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, postoi në “X”, duke falënderuar Carter për “mbështetjen e tij të palëkundur për Ukrainën” përballë agresionit rus.” Gjithashtu në një postim në “X”, kancelari gjerman Olaf Scholz thotë se “bota ka humbur një ndërmjetës të madh për paqen në Lindjen e Mesme dhe për të drejtat e njeriut”. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres shkruan se “udhëheqja e Carter kontribuoi ndjeshëm në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”. Presidenti francez Emmanuel Macron e cilëson Carter “si një avokat të palëkundur për të drejtat e më të cenuarve”.
Ndërkaq presidenti amerikan Joe Biden ka shpallur 9 Janarin 2025, ditë zie kombëtare për të nderuar vdekjen e Carter. Administrata amerikane ka urdhëruar gjithashtu që flamuri i SHBA të ulët në gjysmë shtizë në Shtëpinë e Bardhë dhe në të gjitha ndërtesat publike dhe ambasadat jashtë vendit për 30 ditë pas vdekjes së Carter.