Lideri çeçen, Ramzan Kadyrov, ka shprehur hapur mbështetjen e tij për deklaratat e Presidentit rus, Vladimir Putin, lidhur me gatishmërinë e Rusisë për të hyrë në luftë me Evropën, nëse kjo e fundit do të niste një konflikt.

Kadyrov theksoi se ushtria çeçene ka nevojë vetëm për një urdhër nga Moska për t’u përfshirë menjëherë në një përballje të tillë.

“Nuk do të ketë hezitim, Vladimir Vladimiroviç. Ne presim komandën tuaj. Çdo konflikt i tillë do të përfundonte shpejt dhe me vendosmëri, jo në favor të atyre që zgjodhën të fillonin një luftë me Rusinë”, shkroi Kadirov në kanalin e tij në Telegram.

Deklaratat e tij vijnë pas fjalimit të Putinit në Forumin e Investimeve në Moskë, ku shefi i Kremlinit deklaroi se Rusia “nuk po përgatitet të shkojë në luftë me Europën”, por se është “plotësisht e gatshme” të reagojë menjëherë nëse vendet europiane nisin një konflikt.