Lideri i opozitës ruse, Aleksei Navalni, është ndaluar zyrtarisht të garojë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi tha se Navalni ishte i pazgjedhshëm për shkak të një dënimi për korrupsion që, sipas vetë atij, është i motivuar politikisht. Navalni ndërkohë i ka kërkuar mbështetësve të tij të bojkotojnë zgjedhjet e marsit. Navalni tha të dielën se kishte mbledhur 500 firmat e nevojshme për të siguruar kandidaturën e tij, me shpresën se do t’i bënte presion Komisionit Zgjedhor që ta lejonte atë të hynte në garë.

Navalni u dënua në vitin 2013 nën akuzat për korrupsion dhe verdikti u hodh poshtë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilës, ai nuk kish pasur një proces të drejtë. Një rigjykim më herët këtë vit i dha atij të njëjtin dënim.

Aleksei Navalni konsiderohej si i vetmi kandidat që mund të kishte shansin të sfidonte Presidentin Vladimir Putin. Ky i fundit po kërkon një mandat të katërt në krye të Kremlinit, që do ta bënte atë liderin rus më jetëgjatë në detyrë që nga koha e Stalinit.

Ai ka ende një shkallë të madhe mbështetjeje dhe është thuajse i sigurtë në fitoren në zgjedhje.