Lideri i rebelëve që përmbysi regjimin e Bashar Al Assad në Siri ka deklaruar se bota s’ka arsye për ta pasur frikë regjimin e ri.
Ahmed al-Sharaa, i njohur edhe si Abu Mohammed al-Jolani, u përpoq t’i siguronte shtetet e huaja duke premtuar se do ta rindërtonte Sirinë.
“Frika e tyre është e panevojshme. Frika ishte nga prezenca e regjimit të Assad. Shteti po ec përpara zhvillimit dhe rindërtimit. Po shkon përpara stabilitetit”, – ka thënë ai.
Al-Jolani ka thënë më tej se njerëzit janë të lodhur nga lufta dhe se Siria nuk është e gatshme për një tjetër luftë.
“Burimi i frikës tonë ishte nga militantët iranianë, Hezbollahu dhe regjimi i cili kreu masakrat që i shohim sot. Heqja e tyre është zgjidhja për Sirinë”, – është shprehur ai.