6 biznese janë proceduar penalisht nga ana e Ujësjellësit të Durrësit në ditën e dytë të aksionit për reformën e ujit të pijshëm. Grupet që kanë nisur punën në terren kanë evidentuar gjatë ditës së sotme disa biznese debitore që janë në zonën e Currilave në Durrës, ndërsa dy të tjerët janë në zonën midis Vorës dhe Shijakut.

Përgjegjësi i task-forcës për zonën e plazhit, Petrit Ismailati shprehet se po kontrollohet me imtësi çdo biznes në të katër zonat që ka ndarë ndërmarrja e ujësjellësit dhe për bizneset që do të kapen me shkelje do të ketë procedime penale.

Ndërkaq pranë sporteleve të ujësjellës kanalizime Durrës, vazhdon fluksi i qytetarëve që nuk kanë lidhur kontrata uji, apo që janë debitorë duke lidhur aktmarrveshje.

Vetëm në dy muajt e fundit, dhjetor dhe janar, janë lidhur 1200 aktmarrveshje si dhe janë hapur 780 kontrata të reja.

Në lidhje me kategorizimin e abonentëve pranë ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime Durrës, bëhet e ditur se abonentët familjarë janë ata që kanë shumën më të madhe të debisë së mbartur ndër vite në masën 1.8 miliard lekë.