ANKARA, 15 shkurt 2013 – Tregu turk është bërë një destinacion i madh eksporti për Greqinë e goditur nga kriza, pasi kompanitë greke e gjejnë të vështirë të shesin në tregun vendas për shkak të përkeqësimit të kushteve financiare për familjet mesatare greke.

Eksportet greke në Turqi u rritën në 3.5 miliardë dollarë (2.6 miliardë euro në 2012), nga 1.1 miliardë dollarë në 2009, sipas të dhënave të Turkstat. Gjatë kësaj periudhe, rritja mesatare vit më vit e eksporteve greke luhatej në rreth 50 për qind ndërsa eksportet turke mbetën tamam në rreth 1.5 miliard çdo vit. Ndonëse në 2007, përpara krizës greke të borxhit, Turqia kishte bilanc pozitiv tregtar me Greqinë prej 1.7 miliard dollarë.

Arkontis Pancos, një profesor i ekonomiksit në Kolegjin Amerikan të Selanikut, tha se që nga fillimi i krizës në Greqi, Turqia është bërë një treg më i përshtatshëm për kompanitë greke.

“Ata po punojnë të ulin kostot, kurse eksportimi në Turqi është një opsion efektiv për kompanitë greke”, i tha Pancios për portalin shumëgjuhësh “SETimes”.

Kërkesa e fortë vendase e Turqisë dhe tregu i madh është parë si një arsye tjetër për rritjen e eksporteve greke në Turqi.

Çan Bajdarol, ekspert në Qendrën “Wise Men” për Studime Strategjike, institucion shkencor në Stamboll, tha se kompanitë greke po luftojnë të gjejnë blerës në tregun vendas dhe duan të zgjerojnë biznesin në vendin me rritje më të shpejtë në rajon.

Investitorët turq janë gjithashtu të interesuar në mundësitë e reja në Greqi.

Vitin e kaluar Athina njoftoi një program privatizimi 50 miliardë euro që përfshinte energjinë e përtëritshme, prodhimin industrial, minierat, groposjen e plehrave, turizmin, pronat dhe infrastrukturën. Në mars të vitit të kaluar, biznesmenë, si nga Greqia dhe nga Turqia, u mblodhën në Stamboll dhe diskutuan sipërmarrjet e mundshme të përbashkëta lidhur me programin e privatizimit të Athinës.

“Dogus Group”, një nga konglomeratët më të mëdhenj të Turqisë, bleu 50 për qind të aksioneve në marinën më të madhe të Athinës, me një vlerë prej 20 milionë euro.

"Investitorët turq e ndjejnë krizën greke jo vetëm si një rrezik por gjithashtu si një mundësi”, i tha “SETimes”-it Myzafer Kutlaj, një ekspert i Ballkanit në Organizatën Ndërkombëtare të Kërkimit Strategjik, një institucion kërkimor në Ankara. “Firmat turke në sektorët e telekomunikacionit, transportit dhe infrastrukturës janë të interesuara në investimin në asetet greke”.

Megjithatë, sipas Kutlajit, ka pengesa kulturore e politike që pengojnë investitorët turq për të hyrë në tregun grek.

Të dy fqinjët janë ende në grindje lidhur me të drejtat mbi detin në Egje dhe Mesdhe, ishullin e ndarë të Qipros dhe eksplorimin dhe shfrytëzimin e depozitave të gazit e naftës.

Shtrohet pyetja se sa marrëdhëniet ekonomike do të reflektojnë në marrëdhëniet dypalëshe politike.

Pancios tha se çdo gjë që ngre kostot e ndërsjella të konfliktit potencial, të tilla si tregtia dypalëshe apo investimet, do të reduktojë mundësinë e konfliktit midis të dy vendeve.

“Kështu që, kjo do t'u japë atyre një nxitje për të gjetur zgjidhje të pranuara në mënyrë të ndërsjellë ndaj problemeve dypalëshe. Vartësia dypalëshe në rritje do të shtyjë vendim-marrësit ndaj zgjidhjeve të ndërsjella. Megjithatë, është ende një pikëpyetje në se ekonomia është një mjet praktik për zgjidhjen e çështjeve politike të rrënjosura”, tha Kutlaj.

Që nga fillimi i krizës greke të borxhit, Turqia dhe Greqia nuk kanë bërë për ndonjë hap konkret për të zgjidhur çështjen e Qipros apo mosmarrëveshjen e detit Egje. Bajdarol tha se për shkak të krizës greke “ata nuk mund të ngrenë kokat e tyre dhe të shohin jashtë kufijve të vet për të zgjidhur konflikte të ngrira si Qiproja”.

Ndërsa transformimi afat-shkurtër në marrëdhëniet ekonomike midis Greqisë e Turqisë mund të mos jetë i mjaftueshëm për të zgjidhur çështjet politike, ai mund të "vendosë një platformë ku palët mund të diskutojnë çështjet e tyre," tha Kutlaj.

(th.m./Agjencia e lajmeve “Dyrrah”)