Një djalosh 13-vjeçar nga Brixton, Londër mendohet se është bërë viktima më e re e koronavirusit në Britani.

Ismail Mohamed Abdulwahab vdiq dje në spitalin Kings College në Londër, ndërsa familjarët nuk kishin mundësi për ta vizituar nga frika e prekjes nga virusi vdekjeprurës, raporton Daily Mail.

Adoleshenti nuk mendohet se vuante nga patologji të tjera.

Lajmet për vdekjen e djalit u bënë të ditura në një postim të GoFundMe të krijuar nga Kolegji Madinah, një xhami në Brixton, për të mbledhur para për funeralin e Ismailit.

Familja e djalit, i cili gjithashtu kohët e fundit kishte humbur babanë e tij nga kanceri, tha në një deklaratë:

“Ismaili filloi të tregojë simptoma dhe kishte vështirësi në frymëmarrje dhe u pranua në Spitalin e Kings College. Ai u vendos në ventilator dhe më pas u fut në gjendje kome të induktuar, por fatkeqësisht ndërroi jetë dje në mëngjes. Në dijeninë tonë, ai nuk vuante nga ndonjë sëmundje. Ne jemi tërësisht të shkatërruar”.