Dikur ishte avioni bombardues që dominonte qiejt. Por edhe pse kanë kaluar gati 80 vite nga ajo kohë, dhe tashmë ndodhet rreth 60 metra thellësi në Adriatik, “fortesa fluturuese” vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes.

Avioni B-17, i prodhuar nga kompania Boeing për ushtrinë amerikane, me numër serial 44-6630, mbetet edhe sot një prej modeleve të ruajtura më mirë, pavarësisht se në fund të detit. Ai ishte pjesë e një misioni të forcave Aleate për të çliruar Europën nga nazistët.

Udhëtimi i tij i fundit do të ishte më 6 mars 1944. I sulmuar nga nazistët me artileri të rëndë, avioni u rrëzua në detin Adriatik, rreth 50 kilometra larg fshatit kroat Rukavac. Vetëm një person i mbijetoi përplasjes së dhunshme.

Sot, njerëzit paguajnë për t’u zhytur e për ta parë avionin, thuajse të plotë. Pjesa e përparme është e shtypur dhe xhamat e kabinës janë të thyer, por gjithçka tjetër është ruajtur thuajse e paprekur. Për shkak të thellësisë, jo gjithkush mund të zhytet lehtësisht.

Fotografi dhe zhytësi profesionist sllovak, Martin Strimska, realizoi verën e kaluar disa fotografi të jashtëzakonshme, të cilat i publikoi vetëm së fundmi. “Është një mrekulli të humbasësh brenda këtij avioni. Jam shumë i lumtur që munda të realizoj këto fotografi”, tha sllovaku.