Një pikturë e rrallë e Van Gogh, nga një koleksion privat francez do të dalë në ankand në fund të marsit në Paris, nga Sotheby’s.

Lajmin e ka dhënë shtëpia e ankandit, duke specifikuar se është një kanavacë e periudhës pariziene me pamje rruge në Montmartre, pikturuar në vitin 1887.

Piktura në vaj ka përmasa 46 cm me 61 dhe vlerësimi i ankandit varion midis 5 dhe 8 milionë euro. Kjo është një temë mjaft e rrallë për Van Gogh.

Piktura përmendet në katalogë, por asnjëherë nuk është ekspozuar për publikun që nga viti 1920, kur u ble nga një familje franceze, e cila tani po e shet atë. Para se të dalë në ankand në Paris, vepra do të ekspozohet në Amsterdam dhe Hong Kong.