Një grua 102-vjeçare është shëruar nga koronavirusi në qytetin italian të Xhenovës, pasi kaloi më shumë se 20 ditë në spital, shkruan CNN.

“Ne e kemi quajtur atë të pavdekshme”, tha mjekja Vera Sicbaldi, e cila trajtonte Italica Grondona në spitalin San Martino në Xhenova.

“Italica përfaqëson një shpresë për të gjithë të moshuarit që përballen me këtë pandemi”.

Mosha mesatare e atyre që u testuan pozitivisht për koronavirusin dhe më pas vdiqën në Itali është 78 vjeç, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit.

”Grondona u shtrua në spital në fillim të marsit, pasi kishte probleme me zemrën”, tha Sicbaldi për CNN.

“Ajo kishte vetëm disa simptoma të buta të koronavirusit, kështu që ne e testuam atë dhe ajo ishte pozitive, por ne bëmë shumë pak, ajo u shërua vetë”, shtoi Sicbaldi.

‘Grondona u largua nga spitali në 26 Mars dhe tani është në një shtëpi të kujdesit. “Nuk e di se cili është sekreti i saj, por e di që ajo është një grua e lirë dhe e pavarur”, tha nipi i saj Renato Villa Grondona për CNN. “Virusi u dorëzua para saj”.