Një 5-vjeçar është shpëtuar 24 orë pasi humbi në shkretëtirë në Argjentinën perëndimore. Benjamín Sánchez u zhduk gjatë një udhëtimi familjar të dielën dhe u gjet nga një ekip vullnetarësh 21 km larg vendit ku u pa për herë të fundit.

"Ishte ftohtë, fjeta keq duke u shtrirë mbi një shkëmb,"-tha djali, i cili mbante veshur vetëm një bluzë dhe pantallona.

Ai tha se mbijetoi duke ngrënë bar dhe duke pirë ujë nga një lumë. Pasi u shpëtua pasditen e së hënës, fëmija u dërgua me helikopter në një spital në San Juan.

Benjamin u gjet i ulur nën një pemë nga një motoçiklist pas një operacioni kërkimi ku u përfshinë rreth 1.000 policë, zyrtarë të mbrojtjes civile dhe vullnetarë.

"Mami po më ndiqte dhe unë fillova të vrapoja, por pastaj humba. U mbështeta mbi një gur dhe fillova të bërtas por ajo nuk më dëgjonte. Nisa të ecja drejt një drite që ishte shumë larg. Unë u frikësova. Isha me të vërtetë i lumtur kur pashë nënën time", -tha ai për gazetën El Clarín.