Në dhjetor të vitit 2017, bashkëshorti i Margarita Gracheva-s e mori në një pyll dhe i preu duart me një sëpatë.

26-vjeçarja përfundoi pa duar pasi bashkëshorti i saj xheloz, Dmitry u xhindos pas një mesazhi në celularin e saj. Sulmi i tmerrshëm erdhi pasi kërkesës së Margarita-s për divorc pas kërcënimeve të mëparshme dhe dhunës.

Një vit pas sulmit që i ndryshoi jetën, ajo ka dhënë një intervistë për "BBC". Me trishtim në sy, Margarita tregon:

"Ai më mori me makinë dhe më çoi në një pyll të largët. Më tha t’i vija duart tek një trung peme. Unë po qaja dhe bërtisja ndërkohë që i lutesha të mos e bënte. Pastaj, ai më tha të shikoja tutje dhe m’i bëri duart copash."

Ish-bashkëshorti i saj, Dmitry Grachev, është dënuar me 14 vjet burg. Por ky rast ka nxjerrë në pah frikën e aktivistëve se zbutja e ligjeve kundër dhunës në familje në Rusi mund të jenë nxitëse e abuzimeve. Kjo për shkak se në Rusi, shkeljet e para kur viktima nuk shtrohet në spital nuk trajtohen më si vepra penale dhe ndëshkimet janë zvogëluar, nën ndryshimet ligjore të sjellë në shkurt të vitit 2017.