Aktorja e “Glee”, Naya Rivera, 33 vjeçe, raportohet e zhdukur pas një aksidenti gjatë notimit në liqenin Piru, Ventura, Kaliforni.

Të mërkurën rreth orës 09:30 të mëngjesit, u raportua se po hetohej për një viktimë të mundshme, të mbytur në liqen. Menjëherë u dërguan në zonë një ekip zhytjeje dhe policë ndërsa viktima nuk është identifikuar ende.

Autoritetet lokale e identifikuan personin e zhdukur si Naya Rivera në mbrëmje vonë dhe raportohet se vazhdon operacioni i kërkimit. Sipas CBC Los Angeles (via Variety), autoritetet nisën të kërkonin Rivera-n pasi djali i saj 4-vjeçar u gjet i vetëm në një varkë të marrë me qira.

Djali u gjet i padëmtuar dhe raportohet se i tha policisë se ishte duke notuar me të ëmën, por ajo nuk u kthye kurrë në varkë.

Naya Rivera njihet për rolin e Santana Lopez në serialin e Fox, “Glee”. Pas rolit të saj në serialin muzikor (2009-2015), ajo u shfaq në “Devious Maids” dhe “Step Up: High Water.”