“Gratë në media” ka qenë tema e radhës e emisonit Soiree me Jonida Shehun. Pjesë e panelit për të folur rreth karrierës së tyre gazetareske dhe vështirësitë që kanë hasur në këtë profesion ishin Anila Basha, Ola Bruko, Juli Xhokaxhi dhe Blerta Tafani.

Gazetarja e njohur e ‘ABC News’ Juli Xhokaxhi gjatë momentit që po tregonte fillimet e saj në gazetari ka treguar edhe një episod që ka patur me Anila Bashën në redaksinë e gazetës “Koha Jonë”, e cila kjo e fundit tallej me Xhokaxhin për gabimet që ajo bënte.

“Unë nuk isha marrë ndonjëherë më parti të mëdha. Basha i thotë Çipës të shkojë kjo e reja në grupin parlamentar të PS-së dhe Çipa më thotë që ‘është mbledhja e grupit parlamentar të PS-së dhe do të shkosh t’i bësh edhe një intervistë Arben Malaj’.

Unë isha zero atëherë nga politika, as nuk e ndiqja, as nuk e doja. Mbaj mend që kam shkuar dhe e kam nisur tekstin e kronikës ‘sot në godinën e kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë u mblodh grupi parlamentar i Partisë Socialiste’ dhe e merr Basha tekstin tim dhe tallej. Pas kësaj, aty e kam marrë shumë seriozisht. Aty fillova të lexoja gazetat çdo mëngjes”, ka treguar duke qeshur gazetarja e njohur Juli Xhokaxhi.