Ky është i treti vit që “E Diela Shqiptare” zhvillon një ceremoni mirënjohje me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës për qytetarë të ndryshëm të kryeqytetit. Ata janë të gjithë banorë sa të ngjashëm me ne, aq dhe të pazhurmshëm, ndoshta ndryshe nga ne.

I ftuar në studion e “E Diela Shqiptare” ishte kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj,  i cili përtej punës së tij në bashki rrëfeu dhe detaje nga jeta e tij tashmë si prind. Në muajin tetor, Erioni dhe Ajola janë bërë prindër për herë të parë dhe në jetën e tyre ka ardhur Kajan.

Ardit Gjebrea zhvilloi një intervistë me kryetarin e Bashkisë.

Ardit Gjebrea: Duke qenë se prej tre vitesh i dimë tani oraret e punës, duam të na heqësh pak kuriozitetin e orareve të natës. Çfarë ndodh me ty, pasi hyn në shtëpi në mbrëmje?

Erion Veliaj: Tani nuk jam më Lali Eri, jam babi Eri. Çfarëdo ngarkesë të ketë pasur dita, ai momenti kur shkoj në shpi dhe hap dikush derën që mund të jetë nëna ime, Ajola, apo nëna e saj, pyetja e parë që bëj është si e kam çunin tim. Është një bekim shumë i madh. Aty më ikën çdo stres, çdo ngarkesë, të më kishin thënë më shpejt do e kisha bërë më herët.

Ardit Gjebrea: Çfarë note do i vije gjumit tënd?

Erion Veliaj: Gjumi im mezi merr një notë kaluese. Unë rrija vonë më përpara, çështje të punës edhe adrenalina që të jep puna e bashkisë, kurse tani nuk e kam më zgjedhje, çdo dy orë, o çiçi, o çuçu. Nuk e thashë për humor. Kam mësuar sesi mund ta ndërroj çunin për 30 sekonda dhe jam i përfshirë në të gjitha proceset, që në maternitet. Nuk jam nga ata baballarë që e mbaj larg.

Ardit Gjebrea: Shkon në shtëpi dhe e shikon Kajan në gjumë, do të doje në ato moment të ishe Kryetar Bashkie?

Erion Veliaj: Mos e lidh fare, ky Erioni që bën bashki është kot fare, ky Erion që ka Kajan më duket i paparë fare. Kur shkoj në shtëpi i marr erë edhe kur është në gjumë dhe Ajola që më thotë, shyqyr që erdhe mbaje pak, harron që kam qenë në punë. Kur isha në ministri gjeta një sfidë të jashtëzakonshme se nuk ishte paguar prej kohësh ndihma ekonomike, kishim krizë pensionesh, duhej reformë nuk ishin hapur zyrat e punës, mu duk punë shumë e vështirë. Pastaj kur dola në bashki duke filluar nga mbledhja e plehrave, te falimenti i ujësjellësit, shkollat, kopshtet që ishin copë-copë, mu duk punë shumë e vështirë. Po kur bëhesh baba të duket gjëja më e vështirë se çdo punë tjetër që ke prekur me dorë.

Ardit Gjebrea: Unë di që Kajanit i ke prerë kërthizën, ke qenë aty kur ka lindur?

Erion Veliaj: Po lexoja shumë, pasi u interesova shumë kur Ajola ishte shtatzënë, që është mirë që prindërit të përfshihen në proces. Por të gjitha studimet thoshin që nga momenti i lindjes duhet të jesh prezent dhe i them doktor Glozhenit, shiko se unë dua të jem aty. “Ne i inkurajojmë, por të gjitha ata baballarë që kanë hyrë në sallë të operacionit ju ka rënë të fikët dhe kemi hall se në vend të merremi me djalin, merremi me ju”. Unë jam burrë me namuz nuk do më bjerë të fikët. Dhe në fakt kisha të drejtë sepse e përballova me sportivitet, madje e ndihmova dhe me serumin, që Ajolës t’i shkonte tamam. Më thotë doktori, -hajde shëndet djali, dhe ti ketë futur ai një çiçi për të gjithë ata që ishin në sallë.  I thashë, duket djali im… Tani tha do i presim kërthizën, ia pres vetë i thashë, unë merrem me të gjithë fëmijët e Tiranës. I preva kërthizën vetë, dikush do e bënte, pse ta bënte një infermiere? Pastaj vjen skena tjetër, ku në vend që të shokohesha unë, u shokuan ata. Tani ju them unë, më gjithë këtë çiç dhe duhet larë, e futa djalin në lavaman dhe e lava. Më tha, kryeinfermierja, ‘o Lali Eri i lake dhe kakën?’ Unë i laj kakën gjithë Tiranës, pasi kanalizimet e ujërave të zeza i ka bashkia, jo më djalit tim. Përtej humorit është një bekim i jashtëzakonshëm dhe e kam shijuar. Shpresoj të bëhet djalë i mbarë dhe të kontribuojë për qytetin.

Ardit Gjebrea: Sapo u zgjodhe kryetar Bashkie ti çove një fëmijë rom në shkollë duke e mbajtur në krahë. Ku ndryshon preokupimi yt për këta dy fëmijë?

Erion Veliaj: Nuk është sekret që unë kam një debolesë për fëmijët. Edhe djaloshin që përmend e kam ndjekur që nga dita e parë, e kam ndjekur tani është tek banesat sociale. Ka filluar shkollën, ka mësuar biçikletën, babai i tij ka filluar punë, punon për ndërmarrjen e pastrimit të bashkisë. Ata që janë realisht të përkushtuar nuk e mbarojnë me një sevap, por mundohen që t’i ndjekin në të gjitha stacionet e jetës./tvklan.al