5 qershor 2014 – Po të kapën duke pirë duhan në lokal, duhet të paguash një gjobë deri në 5 mijë lekë. Ligji i ri antiduhan, i miratuar dje nga qeveria, ka ashpërsuar dhe rregulluar të gjitha kontrollet për moslejimin e duhanpirjes në ambiente publike.
Krahas gjobës 50 mijë lekë për administratorin e lokalit dhe gjobës prej 300 mijë lekë për pronarin e ambientit, do të gjobiten edhe klientët apo duhanpirësit. Ligji i ri, që nuk është zbatuar asnjëherë në Shqipëri, edhe pse është miratuar 7 vite më parë, ka gjetur edhe mekanizmin e vjeljes së gjobës. Klientit i merret shënim karta e identitetit, e cila shënohet në fletën e gjobës.
Në rastet kur klientët apo konsumatorët e duhanit nuk e kanë kartën, atëherë ligji parashikon edhe thirrjen e policisë në ndihmë. Paratë e gjobës do të paguhen në një numër llogarie në bankë dhe, në rast të kundërt, do të jetë përmbarimi ai i cili do të hyjë në lojë për pakësimin e pasurisë në vlerën e gjobës. Një tjetër risi në ligj është përfshirja e personave publikë në gjobëvënie më të lartë. Personat me funksione publike do të gjobiten më shtrenjtë, pasi ndikimi i tyre duke pirë duhan në publik është edhe më i madh, ashtu si edhe përgjegjësia publike. Po kush do ta vendos gjobën?
Të gjithë inspektorët e qeverisë, që nga ai i shëndetësisë deri tek ai i tatimeve do të jenë gjobëvënës të duhanpirësve. “Inspektorati që drejton gjithë këtë proces inspektimi është ai i Shëndetësisë, por ai bashkëpunon edhe me Inspektoratin Doganor dhe me Inspektoratin Tatimor.”, theksoi dje zv.ministrja e Shëndetësisë duke shpjeguar ligjin.
Sipas Ikonomit, një masë tjetër e rëndësishme ishte masa e respektimit të ambienteve ku do të pihet duhan dhe klasifikimi i këtyre mjediseve, që janë mjedise publike, ku nuk lejohet pirja dhe ku Inspektorati duhet të zhvillojë kontroll. Qeveria nuk e publikoi dje ligjin e ri, edhe pse i miratuar që në drekë.
/ Panorama /





