Kompensim në të holla dhe kompensim fizik, apo edhe raste ku këto dy skema ‘tradicionale’ mund të aplikohen të kombinuara. Janë këto tre mundësitë e zgjedhjes për pronarët që janë njohur me masën e përfitimit. Përmbyllja e fazës së parë, asaj të vlerësimit ekonomik për dosjet e para ’95, rihap një tjetër faqe, atë të aplikimeve. Është e drejta e pronarëve që të zgjedhin formën me të cilën duan të kompensohen.
Shpërblimi në të holla është parë për shumë kohë si varianti më i mirë, pas kthimit të pronës aty ku ishte e mundur. Por pas miratimit të skemës së re, duket se një pjesë e pronarëve, janë të prirur të heqin dorë nga kjo alternativë. Kjo për vet faktin që masa e përfitimit që iu është përllogaritur nga ATP-ja nuk është ajo që kishin pritur.
KËRKESAT E VEÇANTA
Çfarë përbën risi pas miratimit të ligjit të ri, është përfshirja e një formulari të posaçëm për kërkesat e veçanta. Kjo hapësirë e krijuar është një mundësi për pronarët që mund të jenë lodhur nga qëndrimi në radhë përgjatë tërë këtyre viteve. Kjo do të thotë që pavarësisht vitit të dosjes, vlerës, apo llojit të pasurisë ata mund të bëhen pjesë e skemës së kompensimit menjëherë, por kjo i provon nga e drejta për përfitim të plotë. Ata mund të marrin një pjesë të vlerës duke hequr dorë nga pjesa e mbetur.
Pronari trajtohet financiarisht përmes një kërkese të paraqitur nga ana e tij për të përfituar 20% të shumës brenda 1 viti, 30% brenda 3 vitesh dhe 40% brenda 5 vitesh, duke hequr dorë nga pjesa tjetër e vlerës. Për ta konkretizuar, nëse kemi një vendim të vitit 2005, i cili mund të trajtohet financiarisht menjëherë në vitin e parë për 20% të vlerës së pronës duke hequr dorë nga pjesa e mbetur.
ANKANDI
Ndryshime ka pësuar edhe skema e kompensimit fizik. Ligji përcakton që toka truall të kompensohet financiarisht, ndërsa toka bujqësore, pyjet, kullotat dhe livadhet, të përfshira rishtazi në proces, do të orientohen nga kompensimi fizik. Pronarët mund të zgjedhin që të kompensohen nga fondi i tokës që agjencia ka në posedim, por edhe në këtë rast gjërat nuk janë aq të thjeshta sa edhe mund të duken. Për herë të parë, në ligj është përfshirë koncepti i ankandit.
Çka do të thotë se pronarët do t’i nënshtrohen një faze konkurrimi mes tyre. Sikundër ndodh në çdo garë, fitues shpallet edhe ofertuesi më i mirë. Në “krizën” e mungesës së aseteve që mund të përdoren për kompensimin e pronarëve, Qeveria krijoi edhe një “xhep” ligjor që u jep mundësinë vet pronarëve që të gjurmojë sipërfaqet e lira të tokës. Pas kësaj ata mund të venë në dijeni agjencinë, e cila më tej bën edhe vlerësimet e nevojshme.
Vetëm pasi të ketë kaluar në skaner, bëhet kalimi në emër të pronarit që ka bërë kërkesën. Kujtojmë që në fillim të muajit maj Agjencia e Trajtimit të Pronave publikoi edhe regjistrin me vendimet që datojnë në 1995. Kështu, numri total i dosjeve të vlerësuara financiarisht është 10.763. Për pjesën e mbetur ATP-ja ka afat deri në 2019./panorama/