Avokatët e ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro kanë gjetur një mënyrë për të tentuar uljen e dënimit të tij prej 27 vitesh burg, të dhënë vitin e kaluar për komplotimin e një grushti shteti përmes leximit të librave, një mekanizëm i parashikuar nga ligji brazilian.

Sipas këtij ligji, të burgosurit mund të përfitojnë ulje dënimi prej katër ditësh për çdo libër të lexuar, me kusht që ta vërtetojnë leximin përmes raporteve me shkrim.

Një gjyqtar i Gjykatës Supreme autorizoi Bolsonaron të marrë pjesë në këtë skemë, pas kërkesës së ekipit të tij ligjor.

Megjithatë, iniciativa ka ngjallur reagime, pasi Bolsonaro nuk është njohur kurrë si lexues i rregullt dhe ka pranuar më herët se nuk kishte lexuar libra prej vitesh.

Lista e miratuar e leximit përfshin vepra mbi demokracinë, të drejtat e indigjenëve, racizmin, mjedisin dhe krimet e diktaturës ushtarake të viteve 1964–1985, një regjim që ish-presidenti e ka mbështetur publikisht.

Mes titujve janë, libri ilustrues Demokracia! i Philip Bunting, si dhe vepra klasike si Lufta dhe Paqja dhe Don Kishoti.

Bolsonaro ndodhet aktualisht në një burg të sigurisë së lartë. Për të përfituar nga ulja e dënimit, ai duhet të dëshmojë se ka lexuar realisht librat e përfshirë në program.