Nga Pirro Naçi
Projektligji i ri për turizmin, i cili ndodhet në fazën e diskutimit dhe të përpunimit të tij, në një masë të gjerë, përbën një hap të rëndësishëm për të arritur pikësynimet në sektorin e turizmit. Rezultatet e deritanishme të diskutimit legjislativ flasin për një këndvështrim të ri dhe optimist. Por puna ende nuk ka përfunduar. Problemet janë të shumta. Paralel me këtë duhen përballuar dhe përmbushur nevojat e reja dhe të ngutshme që vijnë nga dita në ditë, por duke parë edhe perspektivën në këtë drejtim të rëndësishëm të ekonomisë.
Po të shtojmë këtu edhe pozitën gjeografike turistike të vendit tonë, e cila është e rrethuar nga vende që jo vetëm kanë një përvojë të madhe , por edhe një “bursim” turistik mjaft të lartë, bëhet i domosdoshëm një angazhim, jo vetëm serioz dhe frytdhënës, por edhe gjithëpërfshirës. Por përpara se të ndalemi tek ligji i ri i turizmit do të doja ta shikoja pak më gjerë këtë problem dhe të hapja një parantezë.
Dhe kjo ka lidhje me ligjin themeltar të vendit tonë, me Kushtetutën. Kur t’i vijë koha dhe momenti për ndryshimin, rinovimin apo pasurimin e Kushtetutës, në nenin 59-të të saj, ka vend dhe duhet të zërë vend edhe problemi i turizmit. Në këtë nen shteti synon me objektivat sociale të tij në shumë drejtime: për strehimin, për punësimin, arsimin, për mjedisin, për sportin, për trashëgiminë kulturore etj., etj..
Për turizmin as edhe një fjalë. A nuk ka ardhur koha? Me këtë rast do të doja të shtoja edhe diçka tjetër. Diskutimit diçka i mungon, diçka nuk vete mbarë. Atë që nuk po shikoj në këtë proces është zëri i opozitës, zëri i specialistëve, i atyre që për vite me radhë drejtuan dhe udhëhoqën politikat e turizmit në vendin tonë. Po forcat e tjera politike, opozitare apo jo, kanë diçka për të thënë në këtë drejtim? Çështja e themelimit apo e rinovimit të një ligji, nuk është detyrë vetëm e një partie apo e partisë në pushtet, por është një çështje e të gjitha forcave politike. Ndoshta është hera e tretë që Kuvendi po merret me këtë problem kaq të rëndësishëm.
E treta e vërteta? Unë për vete nuk e besoj, jo se nuk kam besim, por nga karakteri dhe dinamizmi i zhvillimit të kësaj dege të ekonomisë, që vazhdimisht ndodhet në zhvillim jo vetëm kombëtar por edhe ndërkombëtar. Por edhe për një fakt tjetër: ne jemi në fazën “pionier” të zhvillimit të saj. Gama e këtij projektligji është mjaft e gjerë; vëmendje të veçantë rritjes së sipërmarrjes dhe praktikave lehtësuese për investitorët, ekzaminim nga afër në diversifikimin e produktit turistik si dhe futja e llojeve dhe produkteve të reja turistike.
Rritja e nivelit cilësor dhe qëndrueshmëria e produktit turistik dhe e shërbimit të tij, pasurimi i ofertës turistike me modernizimin dhe konsolidimin e formave specifike të kuadrit institucional të turizmit, investim në zhvillimin e burimeve njerëzore të vendit etj., etj.. Nuk po ndalem në të gjithë gamën e tij, por këtu do të doja të qëndroja për një konstatim timin. “Më pak shtet dhe më shumë efikasitet në zbatimin e ligjit, paralelisht kjo me rritjen e përgjegjësisë së sektorit privat”, duhet të jetë lajtmotivi i këtij ligji.
Ndryshimet organizative dhe institucionale duhet të jenë në përqasje me ligjet dhe orientimet e BE-së, organizatave ndërkombëtare dhe përvojës më të përparuar. Por le të ndalemi në njërin prej 86 nenet e këtij ligji, në nenin 8: Agjencia Kombëtare e Turizmit. Kam mendimin se ka ardhur koha që AKT. të ndryshojë emërtim. Fjala agjenci është jashtë nivelit, punës dhe kompetencave që ajo udhëheq.
Këtu duhet parë edhe ana ndërkombëtare dhe përfaqësimi i saj jashtë vendit. Agjencia Shqiptare e Turizmit mendoj se do të jetë më e përshtatshme,ose ALB-TOUR, ose, ose ALBTURIST etj.,etj., si këto, do të japin një imazh më të mirë të turizmit shqiptar. Po t’i hedhim një sy vendeve evropiane, do ta shikojmë në shumë vende këtë praktikë. Me ligjin e ri i jepet mundësi që ky institucion të zërë vendin që meriton dhe rol më të rëndësishëm në politikat dhe synimet për zhvillimin e turizmit shqiptar.
Në ligj fjala “ministri” duhet të minimizohet, duhet të hiqen kompetencat që i kanë ngelur nga e kaluara; çdo gjë ta bëjë ministria apo ministri përgjegjës. Rëndësia dhe roli, kësaj ministrie mendoj se, në qoftë se nuk i ka ardhur ora, shumë shpejt do t’i vijë. Me zhvillimin që po merr kjo degë e ekonomisë, del në pah nevoja e një rikompozimi të ri administrativ: krijimin e një Ministrie autonome vetëm për Turizmin. Dhe madje nuk do ta teproja po të shtoja se ministri apo Ministria e Turizmit mund të mbanin paralel edhe funksionin e zv/kryeministrit.
Kjo për të vetmin fakt se problemet e turizmit janë të lidhura edhe me mjaft ministri të tjera, ndaj koordinimi dhe kompozimi i objektivave kërkon një mekanizëm mbiministror. Kjo jo vetëm do të rrisë vlerat e kësaj ministrie, por do të përshpejtojë dhe do të fitojë kohën e humbur të shumë viteve në këtë sektor të lënë pas dore nga mekanizmi shtetëror. Para pak javësh, dy ministritë, ajo e Turizmit dhe e Punëve të Jashtme nënshkruan një memorandum mirëkuptimi; u angazhuan se do të punojnë bashkërisht. Këtë memorandum, këtë angazhim a nuk duhet ta materializojmë dhe ta konkretizojmë në ligjin e ri turistik? Agjencia Shqiptare e Turizmit, a do të ketë me ligj të drejtën për të hapur zyrat e saj turistike edhe jashtë vendit?
Të tria ministritë, ajo e Turizmit, e Financave apo e Punëve të Jashtme a nuk duhet të kenë një detyrim ligjor për këtë veprimtari të rëndësishme? Është momenti i duhur për ta bërë një gjë të tillë. Nuk po ndalem edhe në mjaft nene të këtij ligji, ku disa prej tyre mendoj se kanë nevojë për një këndvështrim më realist, më shkencor dhe më praktik, gjithmonë këto të kalibruara edhe me vendimet dhe udhëzimet e BE-së dhe të Organizatës Ndërkombëtare të Turizmit.
Vetëm se ligji, më në fund, pas shumë vitesh, doli në sipërfaqe dhe po i shkundet pluhuri i harresës dhe po bëhet objekt i një diskutimi të një mase të gjerë njerëzish dhe subjektesh. Kjo flet qartë se këtij sektori të rëndësishëm më në fund po i hapet drita jeshile e rrugëtimit dhe zhvillimit evropian. Por për të parë dhe për të pasur një ide rreth këtij rrugëtimi, mjafton të hedhim një sy nga Europa.
Jo shumë larg nesh, në Athinë, këtë javë (10 mars), BE-ja do të diskutojë në një konferencë të nivelit të lartë për politikat e saj ambicioze për turizmin. Një strategji evropiane mjaft optimiste, me investime dhe me një buxhet mjaft të pasur, por për ne që jemi në mes tyre, edhe kësaj here, konsiderata evropiane lë për të dëshiruar.
Marrë nga e përditshmja “Shekulli”:http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=42199&kat=92





