Nga data 13 maj, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), si dhe drejtoria e Akuakulturës, nuk do të ekzistojnë më. Në zbatim të një direktive të Bashkimit Evropian, këto struktura do të unifikohen në një drejtori të vetme inspektimi pranë Ministrisë së Bujqësisë.
Dritan Palnikaj, Sekretari i Përgjithshëm i MBZHR, sqaroi se nuk bëhet fjalë për shkrirje të thjeshtë, por për një qendërzim që synon rritjen e bashkëpunimit dhe efikasitetit:
“Ne po bëjmë unifikimin e këtyre tre inspektorateve në një, për të shmangur ecejaket mes institucioneve.”
Ndryshimi nuk do të shoqërohet me shkurtim të vendeve të punës, pasi administrata ekzistuese do të integrohet në strukturën e re:
“Shumica e punonjësve aktualë do të përthithen nga kjo drejtori. Janë të parët që do të vlerësohen për punësim,” tha Palnikaj.
Qëllimi i ligjit është të reduktojë numrin e inspektimeve në terren, por duke rritur cilësinë dhe efikasitetin e tyre, në përputhje me standardet evropiane.





