Krahu i ish-UÇK-së nga radhët e BDI-së në Qeverinë e re është shprehur qartë se nuk ka lëshime dhe se ligji i ri për gjuhën shqipe duhet të miratohet brenda 100 ditëve. Një zyrtar i lartë i BDI-së nga ky krah theksoi për Agjencine e lajmeve INA se nuk ka lëshime dhe se ligji do të miratohet brenda 100 ditëve. Sipas tij, ky qëndrim është shprehur qartë edhe nga zv/kryeministri Hazbi Lika.

“Ne jemi të vendosur që të mos ketë lëshime dhe taktizime. Nëse Ali Ahmeti tenton të bëjë sërish lëshime, atëherë humbja do të jetë e thellë. Qëndrimi ynë është në një linjë me atë që e theksoi Hazbi Lika dhe nuk ka pse të tërhiqemi, kur dihet se ne jemi shtylla për mbajtjen gjallë të kësaj qeverie”, theksoi për INA, zyrtari i lartë i BDI. Ai pranon se ka zëra brenda partisë së tyre që pajtohen që ligji të miratohet pas zgjedhjeve, ashtu siç e kërkon kryeministri Zaev.

Zëvendëskryeministri Lika ka bërë të qartë se ligji do të miratohet brenda 100 ditëve dhe procedurat do të kalojnë në Qeveri dhe më pas në Kuvend.

“Së shpejti ky propozim-ligj do të miratohet në Qeveri, për të cilin janë marrë vesh partnerët. Është çështje ditësh procedurës”, theksoi Lika.

Zv/kryeministri Hazbi Lika megjithatë pranon se pas qeverisë ligji nuk do të shkojë në Kuvend, por së pari do ta shqyrtojë Komisioni i Venedikut.