Gjykata e Krujës ka vendosur arrest me burg për 5 të ndaluarit e grabitjes së postës në Krujë. Mësohet se gjyqtarja Enkelejda Hoxha ka vendosur masën “arrest me burg” për tre autorët: Mark Caka, Gazmir Caka dhe Andi Rexhepi. Gjithashtu në burg janë lënë edhe roja i postës Besnik Parruca dhe një person tjetër me iniciale A.L për moskallëzim krimi.
Ndërsa, Andi Rexhepi është cilësuar si kreu i grupit të grabitjes, ndërsa dyshohet se të njëjtët persona kanë bërë edhe grabitje të tjera në bankomatet në autostradën Tiranë-Durrës. Bëhet me dije se gjatë kontrolleve janë sekuestruar një pjesë parave të vjedhura dhe armë.
Posta e Krujës është grabitur në orët e para të mëngjesit të 4 nëntorit, ku autorët u futën dhe morën 130 milionë lekë të vjetra në një prej dy kasafortave që ishin në postë dhe më pas janë larguar qetësisht. Autorët përfituan edhe nga terri në të cilin ndodhej qyteti, pasi pikërisht në momentin kur ata u futën në Postë për të vjedhur në qytet u fikën dritat.
Gjatë kohës që nuk ka pasur drita, grabitësit janë futur dhe nën ‘hundën’ e rojes, Besnik Parruca që tashmë është arrestuar, kanë vjedhur 130 milionë lekë. Madje, në momentin që ka kaluar patrulla e policisë dhe e ka pyetur 51-vjeçarin nëse ka ndonjë problem, ai e ka mohuar këtë gjë, duke thënë se është gjithçka në rregull.
Për shpërdorim detyre është vënë në pranga edhe një punonjës poste, i cili pasi ka vënë re mungesën e parave nuk ka telefonuar policinë. Ndërkohë që vlen për t’u përmendur fakti që drejtori i Postë është Xhelal Rraja, djali i të cilit Ramazani u bë figura e kësaj vere, teksa më datë 31 korrik u shpërnda masivisht videoja, ku 26-vjeçari dhunonte barbarisht një grua në ambientet QSUT-së. Ndërsa nipi i tij, Redjani dyshohet se është një autorëve të atentatit të prokurorit Arjan Ndoja. Pak javë më parë një person i maskuar ka grabitur me armë zjarri 460 mijë lekë të reja nga zyra postare në Fushë-Bulqizë. /gazetashqip





