Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasit Rexhep Gjuni dhe kunatin e tij Arben Selaj, të cilët u arrestuan pak ditë më parë nga policia, pasi akuzohen për rrëmbimin dhe fshehjen e nipit të tyre 3-vjeçar.

Prej ditësh policia e Durrësit po vijon punën për gjetjen e 3-vjeçarit që i është marrë nënës së tij dhe që dyshohet se po mbahet në mënyrë të padrejtë, nga gjyshërit e tij dhe të njohur të tjerë të tyre.

Policia ka kryer kontrolle në disa banesa të të afërmve të gjyshes së 3-vjeçarit, në Kukës dhe në Has, ku kishte indicie se mund të mbahej i mituri.

Pas vendimit, avokatja mbrojtëse, Arta Gecaj u shpreh para gazetarëve se nuk mund të shprehet më shumë mbi këtë çështje, pasi është sekret hetimor.

Rexhep Gjuni dhe Arben Selaj (vëllai i gjyshes nga babai), janë të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 109/2 e 25 të K.Penal.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim shtetasit Barie Gjuni 57 vjeçe, gjyshja e 3-vjeçarit, banuese në Durrës dhe Flamur Selaj., 43 vjeç, vëllai tjetër i 57-vjeçares, banues në Has.