Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Erion Petin dhe Klaudio Xibrakun, administratorë të kompanisë, në kontenierin e së cilës u kap 143 kg kokainë në port.

Të dy të arrestuarit, të cilët janë edhe kushërinj me njëri-tjetrin, kanë mohuar që të kenë lidhje me trafikun e drogës. Gjatë seancës ata kanë deklaruar se kanë porositur vetëm banane, pa pasur dijeni që në konteiner ka pasur lëndë narkotike. 

“Nuk kemi asnjë lidhje me drogën. Ne kemi porositur vetëm banane dhe nuk kemi pasur asnjë ide që brenda në kontejner ka pasur lëndë narkotike”, kanë thënë ata.

Dyshohet se ngarkesa prej 143 kg drogë ka ardhur në Shqipëri për llogari të 3 grupeve të ndryshme kriminale. Policia ka sekuestruar telefonat celular të dy të arrestuarve si edhe gjithë dokumentacionin e kompanisë.

Sasia e lëndës narkotike ishte fshehur në tavanin e kontenjerit e ndarë në 200 pako të mbështjella me natriban dhe me mbishkrime përcaktuese si dhe me fotografinë e trafikantit Pablo Escobar.